Klubet e femrave të diskriminuara nga Komunat
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku të martën në një takim të veçantë i kanë pritur drejtuesit e skuadrave të Ligës së Femrave.
Qëllimi i këtij takimi ka qenë që kryetari Fetahu dhe sekretarja e Përgjithshme, Dushku të shpalosin gjithë punën që është bërë në vitin 2018 për basketbollin femëror në vendin tonë dhe për atë që FBK-ja do ta bëjë në vitin 2019.
Po ashtu në këtë takim drejtuesit e klubeve i kanë dhënë edhe opinionet e tyre se si mund të kontribuohet edhe më shumë në ngritjen e cilësisë dhe masovizimin e basketbollit femëror në Kosovë.
Në këtë takim drejtuesit e klubeve i kanë shpalosur edhe shqetësimet e tyre, e që kryesisht kanë të bëjnë me mungesën e termineve për stërvitje në palestrat e qyteteve të tyre, mungesën e përkrahjes së duhur financiare nga Komunat prej nga vijnë, si dhe mosfillimin e implementimit të ligjit për sponsorizim dhe të ftohtit e madh në palestra gjatë stinës së dimrit.
“Klubet kanë kërkuar ndihmë nga FBK-ja për t’i bërë presion më të madh Komunave, në mënyrë që këto të fundit të ndihmojnë klubet e femrave me donacione më të mëdha, si dhe të bëjnë presion tek Komunat që t’u japin më shumë hapësirë në palestra për të stërvitur, e jo vetëm me nga 2 apo 3 termine në javë, që nuk janë të mjaftueshme për zhvillimin e mirëfilltë të aktivitetit të një skuadre. Kryetari Fetahu është zotuar se në bashkëpunim me klubet do t’i vizitojnë të gjitha Komunat duke bërë kërkesa konkrete për t’u dal në ndihmë klubeve të femrave”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Federata e Basketbollit sivjet për herë të parë do të garoj me 3 Përfaqësuese të femrave në FIBA Kampionate Evropiane, Divizione B, ku krahas U16 dhe U18, këtë verë edhe U20 do të bëjë gara në këtë nivel.
Federata e Basketbollit të Kosovës prej 3 deri më 11 gusht është organizatore e FIBA 20 Kampionatit Evropian, Divizioni B në të cilin marrin pjesë 13 shtete: Kosova, Islanda, Kroacia, Izraeli, Ukraina, Irlanda, Britania e Madhe, Danimarka, Turqia, Rumania, Finlanda, Greqia dhe Bullgaria. Nëpërmjet organizimit të kësaj gare prestigjioze në vendin tonë, FBK do të mundohet të vetëdijësojnë qeveritë lokale dhe atë qendrore për të rritur përkrahjen për basketbollin femëror, duke filluar nga klubet dhe deri te ekipet nacionale, si dhe për të shtyrë edhe sponsorët në mbështetje të sportit të femrave.
Në fund të vitit 2018 FBK e ka lansuar projektin e FIBA-s, FIBA Europe Girls’ Program. Nëpërmjet këtij projekti FBK synon të zhvilloj basketbollin ndër vajza në vendet rurale të Kosovës, apo edhe në qytetet ku nuk ka aktualisht ekipe të femrave të basketbollit. Target i FBK-së në këtë projekt do të jenë vajzat e shkollave fillore, prindërit, arsimtarët e Edukatës Fizike, si dhe trajnerët e basketbollit.
Në vitin 2018, FBK i ka inkuadruar edhe vajzat deri në moshën 14 vjeç në projektin YDF, për zhvillim të gjeneratave të reja të FIBA-s, të cilat tashmë jenë pjesë e kampeve nacionale dhe turneve ndërkombëtar. Këto janë disa nga projektet më të rëndësishme të FBK-së me anë të të cilave Federata synon të masovizoj basketbollin ndër vajza. Projektet të tjera pritet të vijnë në bashkëpunim me FIBA-n, Ambasadën Amerikane në Prishtinë dhe organizata të tjera sportive.