Klubet e hendbollit i mësojnë kundërshtarët evropianë
KH Trepça përballet në raundin e dytë të Kupës Evropiane me skuadrën Vogoshçan nga Bosnjë-Hercegovina, ndërsa kampionët e Besës e presin fituesin e ndeshjes Beshiktash – Donbas. Skuadrat e femrave, Istogu dhe Ferizaj, do të përballen me SIR 1 Maio/CBJ, përkatësisht Maccabi Arazim Ramat Gan.
Katër klube të hendbollit e përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane. Dy klube janë në konkurrencën e meshkujve, dy të tjera në atë të femrave. Shorti i tërhequr të martën ka përcaktuar edhe kundërshtarin e KH Trepça në raundin e dytë të Kupës Evropiane për Hendbollistë. Mitrovicasit do të përballen me skuadrën e Vogoshçan nga Bosnjë-Hercegovina. Trepça si fituese e Kupës së Kosovës nis prej raundit të dytë të EHF European Cup, kurse ndeshja e parë zhvillohet më 14 ose 15 tetor, ndërsa ndeshja e kthimit në Vogoshça më 21 ose 22 tetor. Ndërsa kampionia në fuqi e Kosovës për meshkuj, Besa Famgas, duhet të presë për ta mësuar kundërshtarin në raundin e dytë. Klubi pejan do të përballet me fituesin e ndeshjes në mes të Beshiktashit të Turqisë dhe Donbasit të Ukrainës.
Besa ndeshjen e parë e zhvillon si vendëse më 14 ose 15 tetor, kurse ndeshjen e kthimit më 21 ose 22 tetor si mysafir. Në anën tjetër, skuadra kampione e Kosovës në hendboll (femrat), Istogu, do të përballet me skuadrën nga Portugalia, SIR 1 Maio/CBJ. Kjo skuadër është nga Leiria e Portugalisë, ndërsa ka përvojë të gjatë në gara evropiane. Ndeshja e parë luhet në Portugali më 23 apo 24 shtator, ndërsa ndeshja e kthimit në Istog më 30 shtator apo 1 tetor.
Të gjitha 64 skuadrat pjesëmarrëse startojnë prej raundit të dytë të Kupës Evropiane (EHF European Cup). Ndërkohë skuadra e Ferizajt do të luajë ndaj skuadrës së Izraelit, Maccabi Arazim Ramat Gan. Ndeshja e parë luhet në Izrael (23/24 shtator), ndërsa e kthimit më 30 shtator e 1 tetor.
/Epoka e re/