Klubet e Superligës dalin në “gjah”
Shumë klube të Superligës janë përforcuar gjatë fundjavës për sezonin pranveror. Skuadra e fundit në tabelë, KEK-u, ka bërë tri përforcime dhe e ka emëruar Alban Dragushën në postin e trajnerit. Përforcime cilësore kanë siguruar edhe Llapi dhe Flamurtari, kurse Ferizajn e ka kapluar një krizë e jashtëzakonshme.
IPKO Superliga e Kosovës në futboll është në pushim, kurse klubet janë hedhur në aksion për ta shfrytëzuar afatin kalimtar të janarit për përforcimet e nevojshme për pjesën e dytë të kampionatit. Skuadra e fundit në tabelë që ka qenë edhe më e dobëta në sezonin vjeshtor, KEK-u, është duke u përforcuar fuqishëm për pranverë. Kjo skuadër, pasi angazhoi sulmuesit Isa Eminhazirin dhe Enis Zaberxhën, tash ka arritur marrëveshje edhe me ish-kapitenin e saj, Besart Dushin. Risi e madhe nga ky klub është edhe emërimi i Alban Dragushës në krye të shtabit teknik. Trajneri Dragusha e kishte përfunduar karrierën si futbollist në fund të kampionatit të kaluar, kurse në disa ndeshje të sezonit vjeshtor e drejtoi Ramiz Sadiku në Ligën e Parë, ku më pas edhe dha dorëheqje. Shumë aktive në fundjavë është treguar edhe skuadra e Llapit që ka prezantuar dy futbollistë: Flamur Bajramin dhe Elvis Prençin. “Transferimi i parë i afatit kalimtar të janarit te KF Llapi është mesfushori llapjan Flamur Bajrami, i cili është prezantuar me fanellën bardhekaltër. Bajrami ka nënshkruar kontratë dyvjeçare e gjysmë me klubin, ndërsa më parë ka qenë pjesë e 2 Korrikut, Tiranës e Vëllaznimit”, thuhet në njoftimin e Llapit. “Qendërmbrojtësi nga Peshkopia, Elvis Prençi, ka arritur marrëveshje me skuadrën e Llapit dhe në këtë edicion do ta veshë fanellën bardhekaltër. Prençi ka luajtur për Kukësin, Partizanin e Tiranës, Teutën, Korabin e Peshkopisë dhe, së fundmi, për Lushnjën. Po ashtu, ai ka qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U21”, thuhet në njoftimin e skuadrës nga “Zahir Pajzaiti”.
Aktive është treguar edhe skuadra e Flamurtarit nga Prishtina. Kuqezinjtë janë përforcuar me mbrojtësin bullgar Angel Granchov, i cili ka luajtur për Lokomotiva Plovdiv, Slavia Sofia, Neftochimic Burgas, Stal Mielec dhe Minyor Pernik. Skuadrën nga “Xhemail Ibishi” e kanë përforcuar edhe Melos Zenunaj dhe Shend Kelmendi. Ndërsa skuadra e Drenicës nëpërmjet një njoftimi për medie ka bërë më dije se sot (e hënë) nga ora 17:00 do të mbahet mbledhja e klubit, në të cilën do të diskutohet raporti njëvjeçar i kryesisë dhe shtabit teknik. “Do të diskutohet dhe vendoset për organizimin dhe synimet për stinorin pranveror. Në këtë mbledhje do të trajtohen edhe tema të tjera në interes të klubit”, thuhet në njoftimin e klubit nga Skenderaj.
Për momentin punët më se keqi nga skuadrat elitare i ka KF Ferizaj, pasi është duke përjetuar një krizë të jashtëzakonshme. Ky klub nuk ka bërë organizimin, por asnjë ndryshim brenda skuadrës dhe nuk i ka filluar stërvitjet. Çfarë është më e keqja, ende nuk janë kryer obligimet financiare ndaj futbollistëve. Ky klub publikisht ka kërkuar ndihmën e bizneseve nga ky qytet dhe nga kryetari i komunës, Agim Aliu, që të përkrahin financiarisht klubin që të përgatitet për sezonin pranveror, ku synim është mbetja në Superligë.
/Veton ZYMBERI/