Klubet e Superligës fillojnë lëvizjet për pranverë
Klubet elitare në Kosovë kanë filluar të përforcohen për sezonin pranveror, i cili, si kurrë më parë, do të jetë interesant si në garën për titull, po ashtu edhe për mbijetesë. Skuadra e Llapit të martën bëri një transferim të madh duke e angazhuar Egzon Krasniqin që ka shkëlqyer në dy vjetët e fundit me fanellën e Flamurtarit të Prishtinës.
Edicioni vjeshtor në IPKO Superligën e Kosovës në futboll ka përfunduar me Ballkanin që arriti të dalë skuadra më e suksesshme në këtë fazë, derisa edhe ndeshjet e Kupës janë zhvilluar dhe tash klubet elitare janë në pushim deri më 6 janar.
Drejtuesit e klubeve të përfshira në garën për titull, por edhe ato për mbijetesë, kanë filluar lëvizjet e para. Të martën Llapi arriti ta sigurojë përforcimin e parë për sezonin pranveror. Klubi që drejtohet nga trajneri Tahir Batatina është eliminuar nga Kupa dhe ka mbetur paksa mbrapa në garën për titull, por kjo nuk e ka penguar t’i sigurojë shërbimet e futbollistit Egzon Krasniqi, i cili në dy vjetët e fundit ka shkëlqyer me fanellën e Flamurtarit të Prishtinës. Skuadra e Llapit ka njoftuar se Krasniqi ka nënshkruar kontratë për një vit e gjysme, derisa refuzoi shumë oferta për klubin nga Podujeva.
“Egzon Krasniqi gjatë dy edicioneve paraprake ishte ndër futbollistët kryesorë të ekipit të Flamurtarit, ndërsa tashmë në Llap veç është njoftuar me projektin dhe do të jetë ndihmesë e madhe e klubit bardhekaltër në edicionin pranveror”, thuhet në njoftimin e Llapit.
Në drejtim të kundërt mund të lëvizë sulmuesi nga Shqipëria, Sebino Plaku. Ky i fundit besohet se do të qëndrojë në klubin e Llapit, pasi ka prishur raportet me drejtuesit e klubit, derisa e paqartë vazhdon të jetë e ardhmja e yjeve të tjerë si Labinot Osmani, Behar Maliqi dhe Mentor Zhdrella.
Skuadra e Flamurtarit, pos ndryshimeve në shtabin teknik, ku drejtimin e klubit e mori Bylbyl Sokoli, është duke punuar për ta përforcuar klubin. Drejtuesit e klubit kuqezi e kanë “blinduar” Gentrit Begollin, kurse janë në bisedime edhe me Plakun dhe Osmanin e Llapit, Dardan Jasharin e Ballkanit dhe Viktor Kukën e Ferizajt. Duarkryq nuk ka qëndruar as skuadra e Feronikelit e cila liroi shtatë lojtarë të dëshmuar në futbollistin e Kosovës: Kastriot Rexha, Astrit Fazliu, Albutrint Morina, Lulëzim Doshlaku, Haxhi Neziraj, Arbër Prekazi dhe Milosh Krkotiq. Në anën tjetër, në Drenas kanë “aterruar” Simon Loshi, Kristi Kullaj, Keith Groeneveld dhe Ilir Berisha. Ndërsa kampioni vjeshtor, Ballkani, ka arritur marrëveshje me mbrojtësin e njohur Arbër Prekazi, por zyrtarizimi i tij në skuadrën nga Suhareka do të ndodhë pasi të ndahet përfundimisht me Feronikelin. Gazeta ka mësuar se skuadra e Gjilanit është duke biseduar me tre futbollistë në mënyrë që ta ndjekë garën për titull dhe trofeun e Kupës, por marrëveshjet ende nuk janë finalizuar. Ndryshime do të ketë edhe në skuadrën e Drenicës, derisa një burim i gazetës brenda klubit kuqezi ka bërë me dije se portieri Arion Ymeri mund të jetë largimi më i madh në afatin kalimtar të dimrit.
/Veton ZYMBERI/