Klubet elitare të Kosovës tregojnë forcën në miqësore
Prishtina dhe Gjilani kanë fituar në miqësoret ndaj skuadrave të huaja, kurse Drita ka shkëlqyer ndaj Dardanës. Llapi e mposhti Partizanin “B” dhe në këtë mënyrë regjistroi fitoren e dytë në miqësore. Klubet po vazhdojnë intensivisht përgatitjet për pranverë dhe në ditët e ardhshme pritet të zhvillojnë ndeshje miqësore.
Klubet e Superligës së Kosovës në futboll, Prishtina, Gjilani, Drita dhe Llapi, kanë shënuar fitore në ndeshjet miqësore të zhvilluara të mërkurën. Klubi më i madh i Kosovës që synim e ka triumfin në kampionat dhe garën e Kupës, Prishtina, ka treguar forcën e saj në miqësoren ndaj skuadrës bullgare, Arda (5-0), e cila u zhvillua në Antalia të Turqisë. Sulmuesi Ahmed Januzi shënoi dy gola në pjesën e dytë, kurse transferimi i ri i Prishtinës në këtë afat kalimtar, Otto John, shtoi dy gola të tjerë në pjesën e dytë, derisa një gol e ka shënuar edhe Hila. Fitore në Antalia ka shënuar edhe skuadra e Gjilanit, e cila e ka realizuar edhe fitoren e dytë në kuadër të fazës përgatitore në Turqi. Skuadra e drejtuar nga Gentian Mezani e mposhti skuadrën ruse Yenisey Krasonyarsk (1-0). Golin e fitores për skuadrën e Gjilanit e shënoi Darko Nikaq në “Emirhan Football Center”.
Klubi kosovar, përveç fitores, ka dominuar edhe me posedim të topit dhe me rastet e krijuara. Duhet cekur se në këtë ndeshje nuk munguan as tensionet ku klubi rus fillimisht e kishte cekur skuadrën e Gjilanit si klub nga Serbia, por pas reagimit të zyrtareve të kësaj skuadre, janë bërë ndryshimet dhe është vendosur emri i Kosovës. “Gjatë transmetimit të ndeshjes zyrtare të klubit rus e kishin etiketuar në kanalin e tyre në ‘Youtube’, Gjilanin si klub nga Serbia. Në marrëveshjen e ndeshjes të nënshkruar nga zyrtarë nga dy skuadrat, figurojnë vendet e origjinës së skuadrave të pranuara për zhvillimin e saj, nga ku skuadra e Gjilanit mjaft qartë figuron si ekip nga Kosova dhe ekipi rus kishte pranuar zhvillimin e takimit. Pas reagimit të zyrtarëve të klubit të Gjilanit, nga ku dhe u shqyrtua mundësia e ndërprerjes së takimit, zyrtarë të klubit të Yenisey e përmirësuan gabimin e bërë gjatë transmetimit, duke e ndërruar vendin e origjinës së klubit tonë dhe pastaj figuroi Kosova”, thuhet në njoftimin e Gjilanit.
Një fitore në ndeshje miqësore ka regjistruar të mërkurën edhe skuadra e Tahir Batatinës, Llapi. Kjo e fundit e mposhti 1-3 Partizani “B”. Një gol i realizuar nga Ersil Ymeri në pjesën e parë dhe dy në pjesën e dytë nga Arbnor Ramadani dhe Mentor Zhdrella ishin të mjaftueshme për fitoren e skuadrës nga Podujeva në përballje me skuadrën nga Shqipëria. Një miqësore më të lehtë e kishte skuadra e Dritës, e cila luajti ndaj rivalëve të Dardanës dhe arriti fitore të lehtë 7-2. Në pjesën e parë u shënuan shtatë golat për skuadrën e Atdhe Nuhiut, ku vlen të ceket se Betim Haxhimusa tregoi formë të lartë duke shënuar tre gola, kurse nga një e shtuan Erjon Vucaj, Hamdi Namani, Ardian Limani dhe transferimi i ri Almir Ajzeraj. Këto klube dhe klubet e tjera janë duke zhvilluar fazë intensive përgatitore për sezonin pranveror, i cili pritet të jetë jashtëzakonisht i fortë për faktin se disa skuadra po luftojnë për titull, derisa edhe lufta për mbijetesë është shumë e fortë, ku direkt nga Superliga largohen katër klubet e fundit.
/Epoka e re/