Klubet nisin aksion e përforcimeve

22 maj 2018 | 17:42

Klubet e Kosovës në futboll duket se janë pjekur dhe më nuk do t’i presin ditët e fundit të afatit kalimtar për t’i bërë përforcimet e nevojshme, pasi ato tashmë kanë filluar “gjuetinë” për t’i rrëmbyer lojtarët që planifikojnë t’i ndjekin synimet në këtë edicion.

Vetëm një ditë pasi përfundoi zyrtarisht edicioni i rregullt në Vala Superligën e Kosovës në futboll dhe ende pa përfunduar finalja e Kupës, klubet në Kosovë kanë filluar të lëvizin për transferimin e futbollistëve.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) të hënën i ka njoftuar klubet në të gjitha rangjet garuese se afati kalimtar i futbollistëve do të fillojë më 18 qershor dhe do të përmbyllet më 17 gusht.

Kampionia e re e Kosovës, Drita, duket se do ta bëjë “sefte” me sulmuesin Mevlan Zeka, i cili e ka zyrtarizuar largimin nga Liria e Prizrenit. “Ishte kënaqësi të jem pjesë e Klubit të Futbollit FC Liria ku, pas shumë sfidave, ia dolëm mbanë”, ka thënë Zeka, i cili ka falënderuar trajnerin Bledi Shkëmbi, drejtuesit e klubit, bashkëlojtarët dhe tifozët. Mirëpo, Drita, e cila do të marrë pjesë në garat e Ligës së Kampionëve, duhet të jetë syhapur për t’i ruajtur lojtarët e saj cilësorë, sidomos sulmuesin Kastriot Rexha, i cili po “lakmohet” nga Feronikeli dhe Prishtina. Lojtarët cilësorë që mund t’i rrëmbejnë klubet elitare pa ndonjë problem janë ata që kanë luajtur për Besën e Pejës dhe që edicionin e ardhshëm nuk do të pëlqejnë shumë të luajnë në Ligën e Parë. Fjala është për Florent Papuqin, Mërgim Rexhajn, Liridon Balajn dhe Florent Qorrajn. Talenti Balaj për gazetë ka konfirmuar se vështirë do të jetë të luajë për Besën edhe për një edicion tjetër. “Ende nuk kam vendosur por, me gjasë, do të largohem”, ka deklaruar ai.

Para ndeshjes së fundit në kampionat për të ardhmen foli edhe Armend Thaqi, por pa zbuluar të ardhmen e tij. Reprezentuesi i Kosovës pritet që karrierën të vazhdojë në futbollin e Shqipërisë, pasi duket se është momenti që ai të bëjë një hap para në karrierë. Ish-kampioni i Kosovës, Feronikeli, po synon që, përveç Rexhës, ta transferojë edhe sulmuesin nga Shqipëria, Artur Magani, derisa Llapi raportohet se tashmë ka arritur marrëveshje me Bledar Hajdinin e Trepçës ’89. Ky është vetëm fillimi i afatit kalimtar, kurse ditët e ardhshme pritet të janë edhe më interesante dhe do të ketë transferime “bombastike” në futbollin e Kosovës.

(Veton ZYMBERI)  

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liverpooli dhe Atletico Madridi janë të interesuara për transferimin e…