Klubet po i ‘pensionojnë’ futbollistët para kohe

09 janar 2018 | 12:18

Klubet elitare në futbollin e Kosovës nuk i respektojnë lojtarët e tyre, pasi shpesh dinë edhe t’i ‘pensionojnë’ para kohe. Një nga futbollistët që hoqi dorë nga loja aktive, Genc Sermaxhaj, ka thënë se do të ishte mirë që klubet të tregohen më profesionale dhe kjo dukuri të eliminohet njëherë e përgjithmonë.

Shumë futbollistë me emër në futbollin e Kosovës janë pensionuar para kohe për shkak të mosseriozitetit të klubeve dhe kushteve të dobëta ekonomike. Në mesin e atyre që varën këpucët në “gozhdë” para kohe janë Driton Krasniqi, Ardian Kozhani, Genc Sermaxhaj, Kushtrim Mushica, Faton Zejnullahu, Isuf Llumnica, Fisnik Gashi, Krenar Vokshi, Labinot Haliti dhe Suad Salagiq.

Lidhur me këtë dukuri ka folur të hënën për “Epokën e re” një nga këta ish-futbollistë, Genc Sermaxhaj.
Ky i fundit që punon tash si trajner në një shkollë futbolli, ka thënë se janë disa faktorë që i detyrojnë futbollistët të “pensionohen” para kohe, por dy kryesoret janë financat dhe sjellja jo e mirë e kryesive të klube. “Futbollistët të cilët e përfundojnë herët karrierën e tyre futbollistike e bëjnë disa për shumë arsye, por ndër kryesoret që detyrojnë të heqësh dore nga dashuria e madhe për lojën e futbollit janë kushtet e vështira financiare, pastaj mosmarrëveshjet e ndryshme, edhe sjellja jokorrekte dhe aspak profesionale e kryesive të klubeve. Ndodh shpesh që lojtarët në vend se të marrin vlerësime e të shpërblehen, ndodh e kundërta: ata neglizhohen dhe nëpërkëmben”, ka thënë Sermaxhaj, i cili shpreson se gjerat në të ardhmen të ndryshojnë dhe futbollistët që japin shumë për një klub të respektohen, pse jo t’i sigurohet edhe vendin pasi ata ta përfundojnë karrierën.

“Urgjentisht duhet që klubet të ndërrojnë qasje dhe t’i vlerësojnë më shumë futbollistët. Është mirë që kur një lojtar jep kontribut për kubin e caktuar, t’i shpërblehet ai kontribut me afrimin nga ana e klubit pasi ai ta përfundojë karrierën”, ka shtuar ai.

Genc Sermaxhaj që në karrierën e pasur futbollistike ka luajtur për Gjilanin, Dritën, Prishtinën dhe Fushë-Kosovën ka treguar se skuadrat nga vendlindja e tij janë treguar aspak korrekte dhe në një farë mënyrë e kanë detyruar të tërhiqet nga futbolli.

“Karrierën nuk e kam përfunduar me vetëdëshirë, por i detyruar nga disa persona që atë kohë kanë qenë faktorë në klubet e qytetit të Gjilanit, të cilët disa prej tyre kanë qenë korrektë e disa jo, prandaj nuk më kanë ofruar të jem pjesë e tyre atë kohë. Jashtë Gjilanit i kisha disa oferta, por për arsye personale i refuzova dhe vendosa të tërhiqem përfundimisht nga futbolli aktiv”, ka deklaruar Sermaxhaj.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Minatori 63-vjeçar nga fshati Tërstenë i Mitrovicës, Bilall Neziri, baba…