Klubi ‘Afrim Zhitia’: Përpos dhunës, UDB-a ia ndërroi heroit Zhitia edhe vitin e lindjes
Klubi politik “Afrim Zhitia”, ka reaguar në lidhje me serinë e debateve në “TV Dukagjini” lidhur me dhunën fizike dhe psikike që UDB-ashët shqipfolës kanë ushtruar ndaj të burgosurve politik shqiptarë.
Ky klub ka njoftuar opinionin publik se ndaj heroit të kombit Afrim Zhitia, përpos torturave fizike dhe psikike është kryer një krim krejt i veçantë, ku ia kanë ndryshuar edhe vitin e lindjes.
“Siç dihet heroi i kombit Afrim Zhitia veprimtarinë e tij atdhetare e ka filluar si i mitur në moshën 16 -vjeçare, prandaj pas arrestimit të tij dhe gjatë hetuesisë, me qellim të dënimit me burgim të rëndë, atij i është ndryshuar viti i lindjes nga 1965 në 1961”, është thënë në komunikatën e Klubit Politik “Afrim Zhitia”.
Komunikata e plotë për medie:
Nga debatet në mjetet e komunikimit masiv, lidhur me dhunën fizike dhe psiqike të UDB-shëve dhe KOS-istëve, të përdorur kundër të burgosurve politik shqiptar në vitet e okupimit që nga viti 1945-1999,
Klubi Politik “Afrim Zhitia” njofton opinionin publik se ndaj heroit të kombit Afrim Zhitia , pos torturave fizike dhe psikike, është kryer një krim krejt i veçantë: i është ndryshuar viti i lindjes.
Siç dihet heroi i kombit Afrim Zhitia veprimtarinë e tij atdhetare e ka filluar si i mitur në moshën 16 -vjeçare, prandaj pas arrestimit të tij dhe gjatë hetuesisë, me qellim të dënimit me burgim të rëndë, atij i është ndryshuar viti i lindjes nga 1965 në 1961.
Duke pasur parasysh këtë shkelje të rëndë ligjore, dhe duke pasur parasysh torturat fizike e psikike që organet shtetërore të kohës kanë ushtruar mbi të miturin Afrim Zhitia, Klubi Politik “ Afrim Zhitia” lëshon këtë:
DENONCIM
1. Kundër gjykatësve, prokurorëve dhe policëve të kohës,
2. Kundër organeve Krahinore të cilët i kanë mbështetur politikisht zë parët,
3. Kundër punëtorëve të amzës në Podujevë dhe Prishtinë, të cilët me vetëdije kanë bërë shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së KSA të Kosovës.
Ne mendojmë se sikur i burgosuri në fjalë, Afrim Zhitia, të trajtohej si një i pandehur i mitur, do të duhej edhe të gjykohej dhe dënohej si i tillë dhe kjo do të ndikonte që ai ta përjetonte më lehtë burgun në aspektin fizik dhe psikik.
Protagonist të një krimi të tillë , të pazakontë dhe krejt të veçantë kanë qenë:
1. Ahmet Ahmeti
2. Isak Nishevci .
Ndonëse ka kaluar kohë e gjatë nga periudha e krimit në fjalë, Klubi Politik “Afrim Zhitia” përmes këtij denoncimi, mendon se mund t’i kontribuojë zbardhjes së historisë së periudhës 1945-1999, por edhe të hedh në pah shkeljet drastike që regjimi komunist, UDB-ja dhe shteti Jugosllav ka ushtruar mbi popullin shqiptar, mbi rininë dhe inteligjencën shqiptare, pa kursyer gjininë, moshën dhe bindjet politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi!
16.08.2024,
Ragip Shala, kryetar i Klubit Politik “Afrim Zhitia”
Prishtinë