Klubi gjerman: Mavraj një luftëtar i jashtëzakonshëm
Mërgim Mavraj tashmë mund të quhet zyrtarisht një lojtar i FC Ingolstadt 04 në Bundesligën e dytë gjermane. Pas një aventure gjysmën e parë të sezonit tek Arisi në Greqi, mbrojtësi vendosi të largohet dhe të rikthehet në Gjermani.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare ka firmosur një kontratë deri në vitin 2020, dhe do të udhëtojë menjëherë drejt Alikantes në Spanjë, për fazën përgatitore të ekipit. Mavraj konsiderohet si një përforcim i nevojshëm për mbijetesën.
“Mërgimi sjell te ne cilësitë që na duhen për të qëndruan në ligë dhe të arrijmë objektivin sezonal. Ai është një fitues i vërtetë, e njeh futbollin gjerman dhe është një luftëtar i jashtëzakonshëm”, ka thënë Harald Gartner, drejtor për komunikim në klub.
Ndërkohë, vetë Mavraj e pranon këtë sfidë të re në karrierë: “Jam i bindur që do luftojmë për të dalë nga kjo situatë e vështirë. Në karrierën time, kam përjetuar momente të ngjashme dhe tani dua të sjell eksperiencën time në klub”. Ingolstadti gjendet në vendin e fundit, atë të 18-të në Bundesligën e dytë gjermane, me 10 pikë, ndërsa lufton për të mos rënë nga kategoria, dhe para vetes ka 3 ekipe të tjera, me një diferencë prej vetëm 3 pikësh.