Klubi i Biznesit kundërshton vendimin e Qeverisë për kufizimin e qarkullimit te atumojeteve të peshave të rënda
Ministria e Infrastrukturës dje bëri të ditur se bazuar në rekomandimet e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rrugëve nga dëmtimet si rezultat i temperaturave të larta është marrë vendim që të ndalohet qarkullimi në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale për të gjitha automjetet e transportit të mallrave me peshë më të madhe se 7.5T.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar Klubi i Biznesit i cili shpreh kundërshtimin e fuqishëm ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për të ndaluar qarkullimin e automjeteve me peshë mbi 7.5 tonë nga 14 korriku deri më 31 korrik 2024.
Ky Klub thotë se vendimi, do të ndikojë në ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit, të rrisë kostot operative dhe do të ndikojë negativisht në ekonomi sepse me këtë vendim afektohen prodhuesit, shitësit me pakicë dhe përfundimisht konsumatorët.
“Ne kohën kur ka nje fluks të madh të kërkesës për furnizime në treg, për shkak të vizitës së bashkkombasve tanë nga diaspora, një vendim i tillë bëhet edhe më i pakuptimtë”.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë të rishikojë këtë vendim, të angazhohet në dialog me palët e interesuara dhe të zbatojë masa alternative që nuk e pengojnë aktivitetin ekonomik”, thuhet në reagim.
Klubi i Biznesit është organizatë që synon thellimin e bashkpunimit vendor dhe ndërkombëtar, për një mjedis të favorshëm të biznesit, zhvillimit ekonomik, dhe mirëqënies shoqërore.