
Klubi i Gjimnastikës “Fushë Kosova” falënderon AMC-në: Përpara, Jara! Jemi gjithmonë me ty!
Aksioni për Nënat dhe Fëmijët (AMC) ka dhuruar një donacion për fëmijët e prekur nga diabeti i tipit 1 në Klinikën e Pediatrisë dhe Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ky donacion përfshin dhjetë pompa insulinike që do të ndihmojnë fëmijët për të menaxhuar dhe përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.
Drejtoresha ekzekutive në Aksionin për Nënat dhe Fëmijët, Rina Demiri-Spahija ka thënë se është një donacion mjaft i rëndësishëm për shkak se është një nismë e re.
Vajza 13 vjeçare, Jara Hasolli e cila është gjimnaste e klubit “Fushë Kosova” dhe e cila është e diagnostikuar me diabet ka deklaruar se kjo pompë do t’i ndihmojë në menaxhimin e diabetit, duke përmirësuar gjendjen e saj shëndetësore.
“Dua të falënderoj shumë AMC-në që e ka mundësuar pompën insulinike sepse merrem dhe me sport e më ndihmon shumë. Më ndihmon me matjen e diabetit, e mban sheqerin më mirë. Edhe me insulinë normale që e marrim sikur me gjilpëra, por pompa është një ndihmë shumë e madhe”, ka thënë Hasolli.
E një falënderim të veçantë për Aksionin për Nënat dhe Fëmijët (AMC) për dhurimin e këtij donacioni për fëmijë të prekur nga diabeti i tipit 1, e ka bërë Klubi i Gjimnastikës “Fushë Kosova”. Ky klub i gjimnastikës pjesë e së cilës është gjimnastja Jora Hasolli dhe e cila është diagnostikuar më diabet janë ndier të lumtur për këtë aksion nga AMC.
“Jara është një shembull frymëzimi për të gjithë një sportiste që nuk dorëzohet përballë vështirësive, por i tejkalon ato me punë, përkushtim dhe një shpirt të fortë luftarak. Klubi ynë është krenar që ka një sportiste si ajo, dhe ne jemi të sigurt që suksesi i saj do të vazhdojë të rritet. Përpara, Jara! Jemi gjithmonë me ty!” është shkruar në falënderim nga Klubi i Gjimnastikës “Fushë Kosova”, që drejtohet nga Shera Aliçkaj-Qerimi e Besnik Latifi.
Falënderimi i plotë për AMC dhe mbështetja për Jara Hasollin:
Jara Hasolli, Një shembull i forcës dhe pasionit në sport
Jara Hasolli, një nga gjimnastet më të talentuara të klubit të Gjimnastikës “Fushë Kosova” dhe po ashtu njëra ndër më të dalluarat e Gjimnastikës së Kosovës, është një vajzë 13-vjeçare e cila jo vetëm që ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në sportin e saj të dashur, por gjithashtu përballet me sfidat e diabetit me guxim dhe vendosmëri. Falë mbështetjes së AMC-së, ajo tashmë ka një pompë insulinike që e ndihmon në menaxhimin më të mirë të sëmundjes, duke i dhënë asaj më shumë liri dhe stabilitet për të vazhduar me performancat e saj të shkëlqyera.
Jara është një shembull frymëzimi për të gjithë një sportiste që nuk dorëzohet përballë vështirësive, por i tejkalon ato me punë, përkushtim dhe një shpirt të fortë luftarak. Klubi ynë është krenar që ka një sportiste si ajo, dhe ne jemi të sigurt që suksesi i saj do të vazhdojë të rritet.
Përpara, Jara! Jemi gjithmonë me ty!
Klubi i Gjimnastikës “Fushë Kosova”.