Klubi i Prodhuesve, Kurtit: Prodhimi duhet të jetë fokusi kryesor pas pandemisë
Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka bërë me dije se të mërkurën ka organizuar një vizitë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe Rozeta Hajdarin, ministre në detyrë e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, tek dy prodhues në komunën e Lipjanit, konkretisht tek kompania e prodhimit të letrës së lagur “Happy” dhe tek kompania e përpunimit të drurit “Elnor”.
Kurti së bashku me Hajdarin janë njoftuar nga afër për sfidat që janë duke u përballur këtë dy prodhues, sidomos gjatë kësaj kohe. Më këtë rast, ata kanë shprehur gatishmëri që të jenë më afër prodhuesve gjatë kësaj kohe.
Po ashtu është bërë me dije se edhe prodhuesit kanë vlerësuar vizitën dhe kanë kërkuar që përkrahja e ardhshme e qeverisë të jetë më e fortë. Po ashtu, ata kanë kërkuar që zëri i prodhuesve të dëgjohet në marrjen e vendimeve të cilat i prekin ata.
Më tutje, ata janë shprehur se pakoja e ardhshme ekonomike duhet të jetë një shtytje që do të rimëkëmb sektorin e prodhimit.
Gjatë këtyre vizitave, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, ka kërkuar nga kryeministri në detyrë Kurti që ta ndryshojë Ligjin për prokurimin publik.
Ai edhe një herë është shprehur se ekonomia vendore do të fuqizohet vetëm atëherë kur prodhuesit do të vlerësohen për punën e tyre dhe qytetarët e institucionet do t’i përkrahin prodhuesit duke blerë prodhime “Made in Kosova”. (L.G: ‘Epoka e re’)