Klubi i Prodhuesve mik i fëmijëve për vitin 2019
Klubit të Prodhuesve të Kosovës i është ndarë çmimi “Mik i fëmijëve” nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, për kontributin e çmuar në shërbime sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë.
Klubi i Prodhuesve është shpërblyer me këtë çmim për angazhimin dhe kontributin për mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve përmes projekteve që i ka ndërmarrë në bashkëpunim me SOS Fshatrat e Fëmijëve.
“Projekte këto që kanë qenë mjaft inovative e të cilat mbështesin zhvillimin social dhe edukativ të fëmijëve, dhe që ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre. Si projekt shumë i rëndësishëm është Punëtoria Made in Kosova, e cila ka për qëllim edukimin, ndërgjegjësimin por edhe socializimin e fëmijëve. Por edhe për organizimin e Gala mbrëmjes humanitare për SOS Fshatrat e Fëmijëve, për mbledhjen e fondeve me të cilat ndihmohen fëmijët pa përkujdesje prindërore, të braktisur dhe fëmijët në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror. Gjithashtu edhe për mbështetjen e kampanjës “#Iseeyou” – me qëllim të ndikimit në shoqëri dhe kontributit në mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë”, është bërë me dije në njoftimin e Klubit të Prodhuesve.
Me tej është theksuar se Klubi i Prodhuesve do të jetë gjithmonë një mik dhe mbështetës i të ardhmes së këtij vendit. “Pra i të gjithë fëmijëve, duke besuar që nëse i motivojmë dhe i inkurajojmë ata e ardhmja do të jetë gjithmonë e sigurt”, thuhet në këtë njoftim për media.
/Epoka e re/