Klubi i Prodhuesve të Kosovës bën thirrje për mosngritje të çmimeve
Klubi i Prodhueseve e ka përkrahur dhe mirëpritur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e vendimit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, që produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina t’u vihet taksë prej 100 për qind.
“Klubi i Prodhuesve e përkrah një vendim të tillë kur kihet parasysh pengesat e vazhdueshme që këto dy shtete i kanë bërë produkteve të Kosovës për depërtimin në tregjet e tyre, e që në masë të madhe ka dëmtuar prodhuesit e Kosovës duke i bërë jo-konkurrues. Mirëpo, në të njëjtën kohë Klubi i Prodhuesve të Kosovës ju bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomik që të mos ndryshojnë çmimet e tregut, duke i rritur ato pas miratimit të vendimit për taksën 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës”, është thënë në deklaratën për media.
Klubi i Prodhuesve ka ftuar të gjithë që të përkrahin interesat e vendit dhe të mbrojnë qytetarët, kur kemi parasysh gjendjen ekonomike të shumicës së qytetarëve.
“Masën për mbrojtjen e prodhimit prej 100 për qind të Qeverisë së Republikës së Kosovës të gjithë operatorët ekonomik duhet ta shohin si mundësi për zhvillimin dhe fuqizimin ekonomik të vendit dhe jo si situatë për përfitim. Klubi i Prodhuesve të Kosovës beson që ky vendim do të mbrojë interesat e prodhimeve vendore dhe përbën një lehtësim për prodhuesit vendor”, është thënë në deklaratën e Klubit të Prodhuesve.
/Epoka e re/