Klubi i Prodhuesve të Kosovës reagon ndaj skandalit të AQP-së

21 janar 2019 | 13:16

Klubi i Prodhuesve të Kosovës, me anë të një komunikate për medie ka reaguar ndaj të gjithë atyre institucioneve që nuk po i respektojnë vendimet e ekzekutivit të vendit edhe  pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100% ndaj produkteve serbe

“Për Klubin e Prodhuesve të Kosovës është e papranueshme që Agjencia Qendrore e Prokurimit, e cila ka bërë blerje në emër të agjencive të pavarura, ka hapur tender që të blejë produkte të cilat kanë origjinë nga Serbia”, thuhet në  njoftim.

Ky reagim erdhi pasi  ditë më parë Agjencia Qendrore e Prokurimit,  kërkoi të blejë prodhime të Serbisë për t’i furnizuar disa institucione.

Kjo agjenci, që bën prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar.

“Institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i japin përparësi prodhimeve vendore gjatë prokurimit publik, dhe kërkojmë që të ndryshohet Ligji për Prokurimi Publik, sepse edhe në bazë të MSA-së lejohet që t’i jepet përparësi prodhimeve vendore. Kjo praktikë zbatohet në shumicën e vendeve të regjionit dhe në vendet e BE-së”, thuhet në njoftimin e Klubit të Prodhuesve.

Sipas tyre ky veprim i Agjencisë Qendrore të Prokurimit e shpreh neglizhencën dhe injorancën që ky institucion ka ndaj prodhimeve vendore dhe përkrahjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Klubi i Prodhuesve shpreson që qeveria do të marr masat e duhura ndaj këtij veprimi dhe njëherazi kjo të jetë hera e fundit ku prodhimet e huaja të favorizohen dhe prodhimet vendore anashkalohen dhe dëmtohen”, thuhet në njoftim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Investitorët në Kosovë kanë partner, dhe nuk janë vetëm”, kështu…