Klubi i Prodhuesve: Vendimi i MTI-së mbron prodhuesit vendor
Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) për vendosjen e masave mbrojtëse në importe për materialet ndërtimore nga argjila.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës, pas analizimit të tregut të materialit ndërtimor nga argjila dhe konsultimit me prodhuesit vendor, e ka parë të domosdoshme që në listën fillestare të përfshiheshin edhe disa produkte tjera nga argjila.
“Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve të Materialit Ndërtimor nga Argjila ka paraqitur kërkesën pranë MTI-së që në këtë vendim të përfshihen edhe disa materiale tjera ndërtimore nga argjila në listën e masave mbrojtëse në importe. Vendimi 01 Ref. Nr. 10 të dt. 28.12.2017 i lëshuar nga Ministri i MTI-së, z. Bajram Hasani paraqet një përkrahje të madhe për prodhuesit vendor të argjilës dhe njëkohësisht ndalon shitjen e materialit nga argjila që vjen nga Serbia dhe shitet nën çmimin e tregut, madje edhe të vet çmimit të prodhimit. Vendimi në fjalë nuk ndalon ardhjen e produkteve të tilla nga Serbia, por parandalon një dëm të rëndë dhe të përgjithshëm të pozitës së prodhuesve vendor, ekonomisë së vendit dhe rrjedhimisht rrezikon konkurrencën në tregun e lirë”, thuhet në njoftimin për medie të Klubit të Prodhuesve të Kosovës media .
Ky vendim, po ashtu ka edhe një simbolikë të rëndësishme sepse përkrah ndërtimin e Kosovës me material ndërtimor të prodhuar në vend. “KPK falënderon Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për këtë vendim të rëndësishëm. Në të njëjtën kohë KPK mbështet dhe e inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që edhe në të ardhmen të vazhdoj me politika të tilla publike që mbështesin prodhuesit vendor”,thuhet në njoftim.