Klubi rumun interesohet për Dellovën

04 janar 2024 | 15:30

Lumbardh Dellova mund të bëhet futbollisti i radhës i Kombëtares së Kosovës që do të përfundojë në futbollin rumun.

Pas Albion Rrahmanit, Ermal Krasniqit e Florent Hasanit, qendërmbrojtësi i Ballkanit është bërë objektiv i një klubit të ligës elitare rumune.

Bëhet fjalë për klubin Universitatea Craiova, njofton mediumi rumun “GSP”.

Dellova e kishte një sezon fantastik me Ballkanin, ndërsa ka debutuar edhe me “Dardanët” në ndeshje zyrtare gjatë vitit 2023.

Ai mund të bëhet përforcimi i dytë i klubit nga Rumania gjatë janarit.

Trajneri Ivaylo Petev i ka kërkuar shefit të klubit, Mihai Rotaru qendërmbrojtës dhe duket se krejt fokusi i klubit rumun tash ka rënë tek futbollisti i Ballkanit.

Dellova mund ta mbulojë edhe pozitën e mbrojtësit të krahut, prandaj do të ishte një alternativë më shumë për ekipin.

Dellova ka hyrë në gjashtë muajt e fundit të kontratës me Ballkanin dhe klubi kosovar mund të vendosë ta shesë atë gjatë këtij muaji para se ta humbasë pa para në verën që po vjen.

Në “Transfermarkt”, Dellova, i cili ka fituar trofe me Ballkanin dhe me Prishtinën, vlerësohet 600 mijë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Maqedonia e Veriut do ta nisë vitin e ri me…