KMDLNj: Akuzat midis subjekteve politike dhe mediave po ndikojnë në tensionimin e situatës

22 janar 2021 | 12:39

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) në një reagim ka theksuar se akuzimi midis subjekteve politike dhe mediave po ndikon drejtpërdrejt në tensionimin e situatës.

Sipas KMDLNj-së, fushata zgjedhore, ndonëse zyrtarisht ende nuk ka filluar, ajo po zhvillohet me një intensitet dhe dinamikë të përshpejtuar në mënyrë që sa më shumë të shfrytëzohet koha e mbetur nga subjektet që garojnë në këto zgjedhje.

“Thuaja të gjitha mediat kanë formuar ekipet e analistëve të cilët përballen me kandidatë të të gjitha subjekteve politike me ç’rast edhe situata del jashtë kontrollit apo temave të përcaktuara e që janë në interes për publikun. Po në të njëjtën kohë, në disa media po bëhen publike edhe hulumtimet për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, nga analistë apo institucione të ndryshme. Natyrisht se këto rezultate, varësisht nga subjekti politik po pranohen apo po kundërshtohen deri në masë që ka thirrje për ndërprerje të bashkëpunimit me disa media. Rasti i fundit ishte ai i TV Dukagjinit ndaj të cilit dy subjekte politike, PDK-ja dhe LDK-ja po shfaqin dyshime se është në shërbim të një subjekti tjetër duke publikuar rezultate të sondazheve dhe të cilat i konsiderojnë si shumë të fryra, jo-objektive dhe qëllimkëqija”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka bërë me dije se që në fillim të fushatës e cila po zhvillohet jozyrtarisht ka kërkuar që politikanët, analistët dhe mediat t’i shmangen fjalorit të dhunshëm, fyes, degradues dhe, i cili, në një mënyrë apo tjetër do të kontribuojë në tensionimin negativ të situatës.

“Për KMDLNj është me rëndësi që mediat të mbajnë raport jodiskriminues me subjektet politike në rrafshin e ofrimit të hapësirës mediale, në përputhje me forcën përfaqësuese politike e që, së paku deri më tani është respektuar. Mediat nuk kanë asnjë përgjegjësi për rezultatet që i bëjnë publike disa analistë, gazetarë apo institucione që bëjnë hulumtime por se kjo është përgjegjësi ekskluzive e atyre që publikojnë këto, aq më parë që nëse ia huqin rezultateve përtej marzhës së lejuar të gabimeve, e rrezikojnë seriozisht besueshmërinë dhe integritetin profesional, si të individit ashtu edhe të institucionit që e përfaqësojnë! Askush nuk ia ndalon një x politikani, x analisti apo x institucioni të bëjë publik sondazhet ku ndonjë subjekt politik e nxjerr fitues me 90 apo 100 për qind të votave. Këto janë sondazhe për një përdorim me shkallë 90 apo 100 për qind të mosbesimit!”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Në këtë kontekst, KMDLNj thërret subjektet politike të kenë kujdes me mediat, ta ndërtojnë frymën e bashkëpunimit reciprok në mënyrë që publikut t’i ofrojnë kohë dhe mundësi të përcjellin debate konstruktive, t’i bëjnë publike programet politike dhe ekonomike, gjithnjë në përputhje me rrethanat dhe mundësitë e krijuara apo, më mirë të thuhet, të kufizuara për shkak të pandemisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori ekzekutiv i komitetit organizues i “Tokyo 2020”, Toshiro Mutu,…