KMDLNj: Angazhimi i Shpend Ahmetit në ekipin negociator të dialogut paraqet konflikt interesi
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) me vëmendje po përcjellë përpjekjet për formimin e një Ekipi Negociator të propozuar nga Qeveria e Kosovës si dhe miratimin e një Rezolute të propozuar nga PSD-ja.
“KMDLNj, edhe më parë pati propozuar formimin e një Ekipi Negociator i cili do të votohej në Kuvendin e Kosovës duke ia kthyer Kuvendit në këtë mënyrë përgjegjësitë për bisedimet me Serbinë dhe kornizën dhe përmbajtjen e këtyre bisedimeve. Në këtë kontekst KMDLNj përkrah nismën e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur përkatësisht drejtorit ekzekutiv z. Luan Shllaku që të ndihmojë në hartimin e një platforme për bisedime përmes angazhimit të shoqërisë civile, si pjesë aktive dhe e pazëvendësueshme e këtij procesi, në fazën fillestare e që pastaj, varësisht prej kërkesave apo nevojave për dinamizimim të procesit negociator, të angazhohen edhe ekspertë ndërkombëtarë në ndërkohë që nuk do të cenohej pronësia e këtij procesi e që mbetet e drejtë e patjetërsueshme e institucioneve të Kosovës”, është thënë në komunikatën e KMDLNj-së.
KMDLNj ka vlerësuar se angazhimi i Shpend Ahmetit si bashkëkryesues i Ekipit Negociator paraqet konflikt interesi.
“Angazhimi eventual i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i PSD-së, si bashkëkryesues i ekipit negociator për KMDLNj-në paraqet konflikt interesi, së paku në planin moral sikur që paraqet problem edhe në planin funksional. Grumbullimi i posteve në të njëjtën kohë e ku pritet të ketë aktivitete të shtuara, e pamundëson kryetarin e Prishtinës të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve të Prishtinës me votat e të cilëve edhe është zgjedhur kryetar i kryeqytetit. Për KMDLNj-në, ‘trojka’ e posteve të kryetarit Ahmeti është në kundërshtim me zotimet për përmbushje të detyrimeve që i ka marrë dhe premtimeve elektorale që ua ka dhënë qytetarëve të Prishtinës”, është thënë në komunikatën e KMDLNj-së.
Në vend të kësaj, KMDLNj propozon që bashkëkryesues i Ekipit Negociator të jetë një përfaqësues i shoqërisë civile sikur që shoqëria civile duhet ta ketë edhe një anëtar tjetër në Ekipin Negociator.
“Këto propozime do të dilnin pas konsultimit dhe propozimit të shoqërisë civile dhe jo që ata të imponohen nga çfarëdo adrese apo grup i interesit. Natyrisht se gjatë plotësimit të Ekipit negociator duhet të respektohet përfaqësimi në baza gjinore dhe ato etnike! Gjithashtu, KMDLNj propozon që opozita të përfaqësohet në mënyrë të barabartë me pozitën dhe pa u diskriminuar në asnjë aspekt. Vetëm nëse Ekipi Negociator zgjedhet me votat në Kuvendin e Kosovës dhe nëse kemi një pajtim midis pozitës dhe opozitës në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, KMDLNj do të kontribuojë në grupet punuese, nëse paraqitet nevoja, mirëpo, në asnjë kontekst dhe rrethanë nuk do të bëhej pjesë e Grupit Negociator”, është thënë në këtë komunikatë.
KMDLNj u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, shoqërisë civile dhe personaliteteve me ndikim të japin kontributin e tyre për këtë proces të nevojshëm dhe të domosdoshëm për qytetarët e Kosovës dhe ardhmërinë e Kosovës.
/Epoka e re/