KMDLNj: Bisedimet për krijimin e Qeverisë janë kushtëzuar me ndarjen e posteve ministrore
Është bërë më shumë se një muaj kur janë mbajtur zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë e që procesi zgjedhor ishte vlerësuar me nota të larta nga vendorët dhe ndërkombëtarët që patën monitoruar këtë proces.
Me këtë rast, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka theksuar se këto zgjedhje kanë krijuar një standard të munguar demokratik për opozitën e cila sipas tyre më parë kontestonte rezultatin e zgjedhjeve.
“Realisht, KMDLNj ka pritur që institucionet e Kosovës të formohen shpejtë për faktin se LVV dhe LDK ishin deklaruar për koalicion edhe parazgjedhor e që do ta lehtësonte koalicionin paszgjedhor për faktin se këto dy subjekte politike kanë fituar 50 për qind të vendeve në Kuvendin e Kosovës”, është thënë në njoftimin e KMDLNj-së.
Sipas këtij këshilli bisedimet për koalicion qeverisës janë stërzgjatur dhe kushtëzuar për poste të caktuara ministrore, gjë që ka ndikuar në dinamikën e formimit të Qeverisë së Kosovës.
“KMDLNj kërkon përgjegjësi nga anëtarët e KQZ-së dhe liderët politikë që zbatojnë standarde të dyfishta, kur kanë interes e përkrahin PZAP-in dhe Gjykatën Supreme kurse kur ndjehen se janë humbës në mënyrën më të paskrupullt e përbaltin punën e këtyre institucioneve duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimeve”.
“Krejt në fund, për KMDLNj-në është i papranueshëm fakti se përkundër të gjitha lëshimeve me vota nga Serbia dhe rinumërimit të mbi 60 për qind të vendvotimeve askush nuk i është nënshtruar asnjë përgjegjësie në kohën që duhet të ketë edhe përgjegjësi penale”, është thënë në këtë njoftim.
/Epoka e re/