KMDLNj deklarohet kundër marrëveshjes me Danimarkën për burgjet

11 mars 2022 | 13:09

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar në  lidhje me marrëveshjen për lëshimin me qera të burgut të Gjilanit për të burgosurit nga Danimarka, duke e cilësuar këtë marrëveshje të dëmshme, diskriminuese dhe shkatërruese për Shërbimin Korrektues te Kosovës.

“Arsyetimi i Danimarkës është se nuk kanë kapacitete vendosëse dhe mbajtëse prandaj do ta marrin me qera Qendrën e Paraburgimit në Gjilan e që nuk është fare e vërtetë. Me 200 milionë euro danezët mund të ndërtojnë së paku 7 burgje moderne apo, si zgjidhje e përkohshme kanë mundësi ta adaptojnë ndonjë objekt tjetër që do të shërbente si burg. Apo do të rentonin ndonjë burg në Holandë, Suedi, Norvegji apo Belgjikë ku standardet e trajtimit janë të njëjta dhe nuk do të kishin nevojë të zbatojnë standarde të dyfishta apo diskriminuese e që do të zbatohen në Kosovë për shkak të dallimeve të mëdha në trajtimin e të burgosurve. Disa nga këto shtete për shkak të numrit të vogël të burgosurve i kanë mbyllë burgjet si p.sh. Suedia dhe Norvegjia e lëre më se kanë mbipopullim. Mbretëria e Danimarkës e ka gjetur mënyrën më të mirë, më të lehtë dhe më të lirë të lirohet nga të burgosurit me të cilët kanë probleme të vazhdueshme duke i transferuar në Kosovë, duke e blerë një pjesë të sovranitetit të shtetit të Kosovës, fillimisht për afatin 10-vjeçar dhe duke i shkaktuar, pa asnjë dyshim shumë probleme në të ardhmen Shërbimit Korrektues të Kosovës i cili, duke u bërë pjesë e kësaj loje të ndyrë politike do të detyrohet të pranojë dhe zbatojë standarde të dyfishta. Në këtë mënyrë do të diskriminohen të burgosurit kosovarë të cilët do të kenë pakrahasimisht kushte më të këqija se të dënuarit për krime të ndryshme që do të importohen nga Danimarka përmes një marrëveshje jotransparente dhe të dyshimtë, diskriminuese, raciste dhe e cila legalizon zbatimin e standardeve të dyfishta”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së të burgosurit e trafikuar nga Danimarka do të trajtohen sipas ligjeve të Mbretërisë së Danimarkës. “Udhëheqja do të jetë nga Danimarka dhe ky burg do të jetë jashtë kontrollit të Kosovës apo njësi ekstraterritoriale për aq kohë sa është lëshuar sovraniteti me qera dhe, në praktikat e shërbimeve korrektuese nuk ka rast të ngjashëm ku zbatohen dy ligje për ekzekutim të sanksioneve penale, brenda një shteti e që e përjashtojnë njëri-tjetrin për cilësinë e trajtimit. Ttrajtimi  në Danimarkë është sipas standardeve më të larta ndërkombëtare kurse trajtimi në Kosovë, si kriter ka standardet minimale”, është thënë në këtë reagim.

Më tutje, KMDLNj-ja ka theksuar se oficerët korrektues të Kosovës që do të shërbejnë në këtë qendër të paraburgimit do të shërbejnë si punëtorë krahu apo punëtorë sezonalë nën udhëheqjen e danezëve.

“Shifra prej 200 milionë euro për afatin 10-vjeçar është tunduese dhe mashtruese për një vend të varfër,  por dëmet që do t’i shkaktohen Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe vet Kosovës do të jenë shumë më të mëdha. Po të kishte një planifikim të mirëfilltë dhe përkrahje institucionale, Shërbimi Korrektues i Kosovës për afatin 10-vjeçar do të rigjeneronte më shumë të hyra përmes aktivizimit dhe fuqizimit të njësive ekonomike. Është morbide të thuhet se me importimin e krimit nga Danimarka do të investohet në energjinë e ripërtërishme”, është thënë në reagimin e KLMDNj-së, duke shtuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës që do të votojnë pro kësaj marrëveshjeje do të votojnë një marrëveshje  të dëmshme, diskriminuese, raciste dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare.  “Kjo Marrëveshje është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut , me Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale dhe me Rregullat Evropiane të Burgjeve që më së mirë rregullojnë statusin dhe trajtimin e personave të privuar nga liria , duke marrë parasysh specifikat e vendeve përkatëse”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti shqiptar, Marash Kumbulla luajti për 90 minuta në ndeshjen…