KMDLNj dënon ashpër djegien e xhamisë në Vërbovc të Drenasit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj rastit të djegies së xhamisë në fshatin Vërbovc të Drenasit.
KMDLNj-ja ka theksuar se sipas të dhënave të policisë, xhamisë i është vënë zjarri.
“KMDLNj kërkon nga autoritetet përgjegjëse kosovare që të ndajnë mjete financiare me të cilat do të mbuloheshin shpenzimet për varrezat e shkatërruara në Rahovec dhe Viti kurse për rastin e xhamisë në Vërboc, si objekt i vlerave fetare dhe kulturore, pas vlerësimit të dëmeve të shkaktuara duhet të ndahen mjetet për rindërtimin e saj duke ndërmarrë masa të sigurisë që ky akt i shëmtuar të mos përsëritet më!”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Reagimi i plotë:
Persona të paidentifikuar deri më tani, ditë më parë, sipas shënimeve të para të Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të BIK-ut, dyshohet si i vënë flakën xhamisë në fshatin Vërbovc, komuna e Drenasit duke i shkaktuar dëme të mëdha këtij objekti fetar dhe kulturor të vjetër afërsisht 500-vjeçar, dëmet janë të mëdha dhe kjo zjarrvënie ka shkaktuar indinjatë te besimtarët dhe qytetarët ku toleranca fetare ka qenë shembull i mirë të respektimit të diversitetit fetar dhe kulturor.
KMDLNj e dënon ashpër këtë zjarrëvënie duke kërkuar nga organet e hetuesisë të bëjnë punën e tyre në mënyrë që personi /at përgjegjës të përballen me organet e drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar.
Për KMDLNj është shqetësuese se në kohën kur Kosova dhe bota po përballen me pandeminë të shkaktuar nga COVID -19 , persona të papërgjegjshëm , duke e shfrytëzuar situatën po shkatërrojnë objekte fetare si dhe varrezat në mënyrë që të nxitet një mosdurim në baza fetare.
Kohë më parë u dëmtuan varrezat e komunitetit Romë , Ashkali dhe Egjiptian në Rahovec dhe disa varreza në Viti kurse zjarrëvënia , ende si dyshim i bazuar në xhaminë në Vërboc të Drenasit , në një mënyrë e krijon një përshtypje se në Kosovë ka ndasi të mëdha dhe jotolerancë midis besimeve të ndryshme apo etnive dhe komuniteteve të ndryshme.
KMDLNj këto raste i konsideron si raste të izoluara të cilat duhet të hetohen dënohen dhe gjykohen , si nga klasa politike, shoqëria civile, komunitetet kulturore dhe ato fetare kurse drejtësia, pas përfundimit të hetimeve dhe procedimit të provave e merr një qëndrim në përputhje me ligjin e që do të ndihmonte që këto raste të mos paragjykohen dhe interpretohen e që për pasojë do të kishte ndasi edhe më të thella ndërfetare dhe ndërnjerëzore !
KMDLNj kërkon nga autoritetet përgjegjëse kosovare që të ndajnë mjete financiare me të cilat do të mbuloheshin shpenzimet për varrezat e shkatërruara në Rahovec dhe Viti kurse për rastin e xhamisë në Vërboc , si objekt i vlerave fetare dhe kulturore, pas vlerësimit të dëmeve të shkaktuara duhet të ndahen mjetet për rindërtimin e saj duke ndërmarrë masa të sigurisë që ky akt i shëmtuar të mos përsëritet më!
Kosova është e njohur për tolerancën fetare , së paku deri më tani dhe ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore prandaj e ka detyrim restaurimin e xhamisë së Vërbocit dhe objekteve tjera të kultit kur do të ketë nevojë!