KMDLNj dënon sulmin ndaj Sylës: Shteti po kontribuon në dhunën ndaj gazetarëve
Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNj) ka dënuar sulmin e mbrëmshëm nga tre persona ndaj gazetarit Valon Syla, duke thënë i bëri thirrje organeve të rendit që sa më parë të kapen dhe të dënohen sulmuesit.
Po ashtu, KMDLNj ka kërkuar që krijuesit e opinionit publik të mbrohen me ligj.
“Dhuna ndaj gazetarëve, krijues të opinionit duhet të mbrohet me ligj nga shteti e që, sidomos kohëve të fundit, shteti ka dështuar ta përmbush këtë detyrim ligjor madje, me disa paraqitje të papërgjegjshme vetëm ka kontribuar në përshkallëzimin e dhunës ndaj gazetarëve. Për më keq, kërcënime ndaj gazetarëve po bëhen edhe nga bartës të posteve me rëndësi në institucionet e Kosovës të cilat nuk po dënohen nga askush përveç se po zënë vend në raportet ndërkombëtare të organizatave që merren me të drejtat e gazetarëve dhe lirisë së fjalës dhe të shprehjes”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Më tutje, KMDLNj ka inkurajuar gazetarin Valon Syla që të jetë aktiv dhe i pakompromis edhe në të ardhmen, “në mbrojtje së të vërtetës dhe afirmimit të lirisë së shprehjes”.