KMDLNj: Dje u bastis Artan Behrami, sot Ismail Syla, cili është i radhës?!

01 nëntor 2023 | 12:45

Reagim i KMDLNj-së

Gjykata Raciste Speciale e ka përvetësur përsosmërisht mënyrën si ishte sjell UDB-ja jugosllave dhe serbe ndaj shqiptarëve; marrja në biseda informative, bastisja dhe arrestime. Deri më tani nuk ka as të vrarë e as të plagosur nga kjo Gjykatë, e ardhmja nuk dihet. UDB-ja jugosllave dhe serbe kishte informatorë – spiuj në radhët e shqiptarëve, të tillë i ka edhe GJRS-ja. UDB-ja jugosllave dhe serbe arrestonte, dënonte dhe vriste atdhetarë shqiptarë që luftonin për të drejtat e tyre, kështu po vepron edhe GJRS-ja. Veprimtarët politikë përndiqeshin nga UDB jugosllave dhe serbe, të njëjtit po përndiqen edhe sot nga GJRS-ja. Artan Behrami, jo vetëm si ish-këshilltar i presidentit Thaçi por përkrahës i tij sot kur Thaçi po përballet me një gyjq qartësisht politik dhe etnik të motivuar, dje u bastis që nga mëngjesi i hershëm e deri në mbrëmje duke i marrë materiale, telefonë dhe pc sikur edhe duke i konfiskuar ajpedët e fëmijëve. Po të njëjtët hetues të GJRS-së, bastisën edhe banesën e prindërve të Artan Behramit duke shkaktuar shqetësime dhe duke shkelur rëndë të drejtën e privatësisë. Pas bastisjes KMDLNj u informua se Artan Behrami nuk ishte bastisur as si i dyshuar prandaj shtrohet një pyetje logjike; pse duhet të bastiset dikush aq brutalisht e aq gjatë dikush që nuk është as i dyshuar për vepër penale sikur që ishte rasti me Artan Behramin dhe Bashkim Smakën. Për çdo shtet normal kjo do t’i aktivizonte dritat e alarmit në mbrojtje të të drejtave njerëzore të qytetarëve të saj nga abuzuesit ordinerë siç janë mercenarët e GJRS-së që kanë shërbyer, mbijetuar dhe përfituar në të gjitha vendet dhe shtetet, sidomos të ish-Jugosllavisë ku ka pasur luftëra të armatosura që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Lugina e Preshevës. Sot që nga ora 7.15 minuta të mëngjesit KMDLNj është informuar se në Lagjen Emshir, hetues mercenarë të GJRS-së po bastisin shtëpinë e ish-këshilltarit të presidentit Thaçi, Ismail Syla, i keqtrajtuar brutalisht nga UDB-ja jugosllave dhe serbe dhe i mbajtur në llogore – burgje të ish-Jugosllavisë mbi 8 vite. Po i njëjti, për veprimtari politike sot po terrorizohet, bashkë me familje nga GJRS-ja. Qartazi, GJRS-ja sipas një skeme të trashëguar nga UDB-ja jugosllave dhe serbe po përpiqet ta thurr një rrjetë marimange nga ish veprimtarët politikë dhe kombëtar që kanë vuajtur burgje dhe kanë luftuar në radhët e UÇK-së e që pastaj, pas çlirimit (çlirim i thënshin) kanë vazhduar të bashkëpunojnë me liderët ushtarakë dhe politikë që po gjykohen në Hagë, në përpjekje për t’i kriminalizuar, tash sipas një skeme të pengimit të administrimit të drejtësisë. UDB-ja jugosllave dhe serbe e kishte një nen tjetër që e përdorte, propaganda armiqësore. Institucionet e Kosovës përkatësisht ato qeveritare as që reagojnë duke u arsyetuar se nuk duan të ndërhyjnë në drejtësi ndonëse nuk kanë lënë rast pa u deklaruar dhe pa e “pushkatuar” prokurorinë kur ka arrestuar mbështetësit e qeverisë. Qeverisë së Kosovës duket se i konvenon kjo situatë për të zhvendosur vëmendjen nga shumë probleme me të cilat po pëprballet sikur edhe për faktin se me deklarime publike është thuaja në të njëjtat valë me GJRS-në. Për KMDLNj-n është e pabesueshme që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kërkojnë sqarime dhe llogaridhënie për mungesën e transparencës brutale të kësaj Gjykate aq më parë që llogariten të jenë themelues të kësaj Gjykate. KMDLNj kërkon nga deputetët e kuvendit të Kosovës që ta bëjnë një komision hetimore për të hetuar se kush ishte ai apo ajo, grup interesi apo parti që aq pamëshirshëm e poshtëroi sovranitetin e Kosovës duke ia bartur 100 përqind e sovranitetit juridik të Kosovës kësaj Gjykate monstër juridike. Kjo edhe është arsyeja dhe mbulesa që po e përdorë kjo Gjykatë për inkursionet e shumta të dhunës psikologjike ndaj qytetarëve të Kosovës.
KMDLNj vlerëson se në mungesë të interesimit institucional, Gjykata Raciste Speciale në mënyrë flagrante po e shkelë dhe keqpërdor nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e që bie nën përgjegjësi të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbur në kohën kur “Avokati i Popullit i GJRS-së” në Hagë, i emëruar nga po kjy Gjykatë tredhë miza duke marrë një pagë marramendëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas protestës së…