KMDLNj: Dyshohet për 200 punëtorë shëndetësorë të punësuar në baza partiake

29 korrik 2020 | 16:18

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka theksuar se pas shpërthimit të pandemisë të shkaktuar nga Covid-19, një numër i profesionistëve shëndetësorë e që ishin të papunësuar janë paraqitur si vullnetarë në përpjekje që të kontribuojnë në luftimin e pandemisë, pa pasur asnjë qëllim tjetër dhe pa e ditur se sa do të zgjasë kjo gjendje.

Me kalimin e kohës dhe me përshkallëzimin e rasteve të të prekurve me Covid-19 dhe atyre që përfunduan me fatalitet, është shtuar si domosdoshmëri që të rritet numri i punëtorëve shëndetësorë për faktin se edhe një numër i profesionistëve shëndetësorë janë infektuar nga koronavirusi.

Në këtë drejtim, KMDLNj-ja ka theksuar se sipas informatave të paverifikuara, 200 punëtorë shëndetësorë janë punësuar në baza partiake.

“Në shumë reagime të KMDLNj-së, kemi kërkuar që Qeveria e Kosovës të ndajë mjete shtesë për shëndetësinë sikur që edhe të gjithë atyre që po përballen, me shumë rreziqe dhe sakrifica, t’u ndahet një shumë shtesë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi Ligjin për rritje të pagave. Për fat të mirë, sot, Qeveria e Kosovës vendosi të ndajë nga 300 euro për ata punëtorë shëndetësorë që po përballen me pandeminë. Në mes të tjerave, KMDLNj-ja ka kërkuar që të rritet numri i të punësuarve në sistemin shëndetësorë. Së voni, sipas informatave të paverifikuara janë punësuar 200 punëtorë shëndetësorë. Pas kësaj pati pakënaqësi për faktin se kishte dyshime se shumica e atyre që u punësuan, u punësuan në baza partiake dhe nepotiste, duke shpërfillur profesionalizmin, si kriter përcaktues. Profesionistët që muaj të tërë kanë punuar vullnetarisht, me shpenzime vetanake, duke e rrezikuar shëndetin e tyre, janë anashkaluar dhe në shumicën e rasteve janë refuzuar ndonëse gjatë punës së tyre e kanë fituar një përvojë të cilën të sapopranuarit nuk e kanë pasur”, është thënë reagimin e KMDLNj-së.

Për këtë arsye, për të eliminuar dyshimet e mundshme për një diskriminim gjatë punësimit, KMDLNj-ja ka kërkuar një hetim të pavarur apo hetim të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi pas së cilës, nëse konstatohet se ka pasur shkelje dhe diskriminim, përgjegjësia konkrete do të adresohej te Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.

“KMDLNj-ja thërret Ministrinë e Shëndetësisë të reflektojë në mënyrë që të sigurojë qasje në dosjet e të të punësuarve e që do të ishte mirë dhe e shëndetshme për vetë Ministrinë në aspektin e rritjes së transparencës dhe llogaridhënies”, është thënë në këtë reagim. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës ka pasur…