KMDLNj: Fjalori i urrejtjes ndaj Ganimete Musliut është paralajmërim për një dhunë fizike
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj gjuhës se komenteve në drejtim të deputetët Ganimete Musliu, duke thënë se KMDLNj ka besuar se ndaj këtyre fyerjeve, pavarësisht ndaj kujt, Policia e Kosovës është dashur dhe duhet të reagojë sipas detyrës zyrtare aq më parë që fyerjet janë publike, lehtësisht të identifikueshme.
Sipas KMDLNj-së, Policia e Kosovës përkatësisht njësia për krime kibernetike ka kapacitet profesional ta bëjë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Reagim i KMDLNj – së:
E PAPRANUESHME, DEGRADUESE DHE E DËNUESHME GJUHA FYESE DHE E URREJTJES NDAJ DEPUTETES GANIMETE MUSLIU
Pas një diskutimi të deputetes Ganimete Musliu në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, filloi një fushatë kundër deputetes Musliu duke e fyer me fjalët më të rënda si njeri, femër dhe deputete në njërën anë dhe ndaj votuesve të deputetes Musliu, në anën tjetër. Ky fjalorë ndaj deputetes Musliu nuk është se po përdoret për herë të parë dhe, në mungesë të sanksionimit të fyerjeve që kanë edhe përmbajtje dhe porosi raciste, fyerjet vetëm sa po shtohen.
Liria e fjalës dhe e shprehjes, si të drejta elementare të njeriut nuk nënkuptojnë liri të pakufishme apo mundësi që ato të keqpërdoren për t’i fyer të tjerët në kundërshtim jo vetëm me këto të drejta por edhe me standardet morale minimale.
KMDLNj befasohet dhe shqetësohet për mosreagim ndaj këtyre fyerjeve që po përsëriten, si nga institucionet ashtu edhe nga opinioni.
KMDLNj ka besuar se ndaj këtyre fyerjeve, pavarësisht ndaj kujt, moshës dhe gjinisë, besimit fetar, bindjeve politike apo statusit shoqëror, Policia e Kosovës është dashur dhe duhet të reagojë sipas detyrës zyrtare aq më parë që fyerjet janë publike, lehtësisht të identifikueshme sikur që Policia e Kosovës përkatësisht njësia për krime kibernetike ka kapacitet profesional ta bëjë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme. Fjalori i urrejtjes apo dhuna verbale është paralajmërim i sigurt edhe për një dhunë fizike.
KMDLNj e dënon këtë fjalor fyes, denigrues, përjashtues dhe racist, në rastin konkret ndaj deputetes Ganimete Musliu dhe votuesve të saj dhe kërkon një distancim të qartë dhe të vendosur ndaj dhunuesve të të drejtave të njeriut që po keqpërdorin rrjetet sociale për linçim publik të zonjës Musliu dhe votuesve të saj përmes fyerjeve që janë krejtësisht e kundërta e asaj që parashohin liria e fjalës dhe e shprehjes, si të drejta të njeriut dhe vlera demokratike.
KMDLNj fuqishëm mbron lirinë e fjalës dhe të shprehjes kur janë në përputhje me këto vlera duke u solidarizuar me deputeten Musliu, në mbrojtje të drejtave të saj të cilat në këtë rast janë shkelur rëndë nga dhunuesit e të drejtave të njeriut.
Në emër të këtyre të drejtave, KMDLNj i kërkon falje deputetes Musliu, votuesve të saj dhe të gjithë atyre që përballen me situata të ngjashme.