KMDLNj: “Fondi i klasës”, mbulesë i dështimit institucional!
Pak para fillimit të vitit shkollor, dështoi marrëveshja midis MASHTI-t dhe botuesve të librave shkollorë dhe, si rezultat i kësaj në vend se librat të shpërndahen si më parë u gjet një tjetër rrugë që përmes aplikimit për rimbursim të kompensohen prindërit që i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
E tëra kjo shkaktoi një rrëmujë në libraritë apo pikat shitëse ku të njëjtit botues që nuk arritën marrëveshje me MASHTI-n tash i shesin librat shkollorë.
U krijuan radhë të gjata, viti shkollorë filloi me vonesa ku nxënësit që nuk ishin pajisur me tekste të reja, ose shkuan me tekste të vjetra ose fare pa to.
Për shpenzimin e blerjes së librave, të ndarë në dy kategori, për fëmijët nga klasa e parë deri tek klasa e pestë dhe për të tjerët nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë, u kujdes Ministria e Arsimit për formës online të aplikimit për rimbursim të shpenzimeve. Por, pasi filloi muaji i parë në të gjitha shkollat, fillore dhe të mesme të të gjitha cikleve janë mbajtur mbledhjet e prindërve.
Tashmë është bërë një rregull i pashkruar e pakodifikuar që për shumicën e nevojave që kanë shkollat përkatësisht klasat, mjetet financiare dhe mbulimi i asaj mungese të bëhet nga prindërit.
“Në të gjitha mbledhjet njëra nga pikat e rendit të ditës (ajo më kryesorja) është ‘fondi i klasës’, i cili shërben për të mbuluar mungesat që kanë shkollat, apo thënë më mirë dështimet e drejtorive komunale të arsimit por edhe së Ministrisë së Arsimit. Ky ‘fond’ organizohet në mënyrë që secili prind duhet të kontribuojë me së paku nga 10 euro (ka raste kur edhe më shumë) për t’i ndihmuar mësuesve që me këtë të mbulojnë kopjet e testeve, letrat e bardha ose me ngjyrë në raste të tjera, për të blerë materiale didaktike, shkumësa, dosje, karrige, tabelë për klasë, banka, perde, e në disa raste lap top për mësuesit/et, projektorë, etj. Pra, ‘fondi i klasës’ është bërë rrugëzgjidhja më e lehtë për të ofruar kushtet, në disa raste minimale për fëmijët dhe mësuesit/et që të zhvillojnë mësimin normal”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj ka bërë me dije se ka pranuar disa ankesa nga prindërit të cilët po obligohen (në disa raste kanë pohuar se janë liruar por për arsye që të mos ndjehen keq fëmijët e tyre disa prindër kanë kontribuar) për të dhënë kontribut financiar të paarsyeshëm kur për gjërat që shfrytëzohet “fondi i klasës” do të duhej të kujdesej Drejtoria/të komunale të Arsimit.
“Merreni me mend që është në vitin 2023 në shkollat e Kosovës mungojnë shkumësat e letrat e bardha që çmimi i tyre është gati i papërfillshëm! Merreni me mend që në Kosovë në shkollat publike obligohen prindërit që të blejnë banka e karrige! KMDLNj është kundër kësaj praktike jo të mirë të obligimit të prindërve që të japin kontribut financiar për material didaktik e shkollor në vend se këto mungesa t’i plotësojë drejtoritë komunale të arsimit. Me këtë KMDLNj merr shkas dhe kërkon nga Ministria e Arsimit, përkatësisht Inspekcioni i Arsimit që të bëjnë inspektime të hollësishme për kushtet e të gjitha shkollave ku zhvillohet mësimi të të gjitha niveleve dhe të publikohen gjetjet nga këto inspektime në mënyrë që institucionet e tjera përgjegjëse të mbahen përgjegjëse nga opinioni i gjerë për veprim ose mosveprim”, është thënë në këtë reagim.
Në të njëjtën kohë KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndajë edhe nga 10 euro plus që të mbulojë shpenzimet e prindërve për shpenzimet që po mbulohen nga “fondi”.
“KMDLNj inkurajon të gjithë prindërit dhe ua përkujton se shkollimi publik është pa pagesë dhe për të gjithë materialet dhe kushte për zhvillim të mësimit janë të obliguara me ligj institucionet që të përmbushin, andaj prindërit nuk janë të detyruar të japin kontribut financiar”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së.