KMDLNj fton Prokurorinë e Shtetit të bëjë hetime urgjente për situatën e krijuar në FSK
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar në lidhje me furnizimin me gjëra ushqimore për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Për shkak të gjërave, ende të pasqaruara deri në fund, FSK-ja rrezikohej që pas datës 1 tetor 2024 të mbetej pa furnizime me gjëra ushqimore për pjesëtarët e saj dhe stafin civil. Pasi ishte koha shumë e shkurtër për një operator tjetër e që atij paraprak i kishte kaluar afati, me qëllim të tejkalimit të situatës u kërkua ndihmë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës që të sigurojë personel të kualifikuar për përgatitjen e ushqimit për FSK-në, deri në një zgjidhje të qëndrueshme. Dhe, si zgjidhje e imponuar nga papërgjegjësia e institucioneve të ngarkuara me këtë çështje u gjet ‘zgjidhja e Solomonit’; ushqimi do të përgatitej nga kuzhinat e burgjeve të Kosovës dhe Mensa e Studentëve”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së, duke shtuar se nuk mbahet mend një rast i tillë në Kosovën e pasluftës por as edhe në një kohë tjetër aq më parë që të burgosurit kanë kryer punë më pak të kualifikuara dhe me përgjegjësi më të vogël.
“KMDLNj gjithmonë ka deklaruar se në burgjet e Kosovës ushqimi është i një cilësie të mirë qoftë sa i përket kalorive apo edhe sasisë. Udhëheqësit e kuzhinave ku përgatitet ushqimi apo edhe ruhet janë civilë kurse ata që ndihmojnë janë kryesisht të burgosur që kanë përvojë para se të dënohen. KMDLNj gjithmonë ka vlerësuar pozitivisht punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës ndërkaq që opinioni, në mungesë të informatave ka pasur mendime të ndara. Po të mos ishte ndërhyrja brutale politike, SHKK do të bënte edhe punë tjera të mira. Për KMDLNj mbetet shqetësues fakti se puna e të burgosurve nuk vlerësohet ndonëse kryejnë punë të kualifikuara ku kërkohet edhe siguria siç është kjo me FSK-në që ndërlidhet shumë edhe me sigurinë. Për punën që e bëjnë kompensimi është miminal, madje edhe nënçmues në ndërkohë që nuk përfitojnë shumë nga beneficionet që iu takojnë, fundjava në shtëpi, lirimi me kusht, falja apo edhe shfrytëzimi i pushimit vjetor”, thuhet në këtë reagim.
Sipas KMDLNj-së, të burgosurit që punojnë duhet të trajtohen sipas ligjit të punës duke i realizuar të drejtat që iu takojnë.
KMDLNj ka përgëzuar Shërbimin Korrektues të Kosovës që, përkundër shumë problemeve që i ka, ka dëshmuar vullnet dhe gatishmëri të ndihmojë FSK-në, deri në tejkalim të gjendjes.
“KMDLNj fton Prokurorinë e Shtetit të bëjë hetime urgjente për situatën e krijuar në FSK shkaku se po flitet për kontrata të nënshkruara kundërligjshëm dhe pa pëlqimin e ministrit të Mbrojtjes e që pastaj është anuluar. Është e pabesueshme që pas këtij skandali të paparë kur një ushtri mbetet pa ushqime, me fajin e drejtuesve të këtij institucioni, askush të mos i nënshtrohet përgjegjësisë, qoftë edhe asaj morale ose të shkarkohet nga KM i Kosovës”, është theksuar ndër të tjera në reagimin e KMDLNj-së.