KMDLNj fton qytetarët të protestojnë kundër shtrenjtimit të sigurimit të veturave
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kundërshtuar rritjen e taksës për sigurim të automjeteve nga kompanitë e sigurimeve.
KMDLNj ka theksuar se përgjegjës kryesor për rritjen e taksës për sigurimin e automjeteve është Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila sipas këtij këshilli, në vend që ta luaj rolin e rregullatorit të këtyre kompanive është duke u bërë pjesë e zhvatjes aktive të buxhetit të qytetarëve të Kosovës.
Në këtë kontekst, KMDLNj ka ftuar qytetarët që të protestojnë kundër këtij vendimi dhe të mbrojnë të drejtat e tyre.
“Në shumë vende të botës nëse i keni dy vetura dhe të cilat nuk i përdorni çdo ditë, me një palë tabela mund të ngasin veturat duke i zhvendosur sipas nevojës, nga njëra veturë në tjetrën”, është thënë në reagim KMDLNj-së.
Sipas këtij reagimi, ulja e çmimeve tarifore për sigurim dhe regjistrim të automjeteve mund të ndikojë në zvogëlimin e numrit të 100 mijë veturave të pasiguruara dhe të paregjistruara. “Rritja e paralajmëruar e tarifave nga kompanitë e sigurimeve, me pëlqimin diskriminues të BQK-së vetëm sa do ta rris numrin prej 100 mijë automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara”, është thënë në këtë reagim.
/Epoka e re/