KMDLNj: Gjendja shëndetësore e Sylejman Selimit nuk është e mirë
Monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) në kuadër të mandatit që e kanë dhe në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me Ministrinë e Drejtësisë kanë vizituar më 5 nëntor Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku po mbahet në paraburgim ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi.
Sipas një njoftimi të KMDLNj-së, monitoruesit e fillimisht janë takuar me drejtorin e Qendrës Korrektuese në Dubravë, Jeton Neziraj, dhe pastaj kanë vazhduar monitorimin e objekteve të synuara dhe takim me të dënuar dhe të paraburgosur që kishin kërkuar të vizitohen nga KMDLNj.
“Gjatë kësaj vizite monitoruese të KMDLNj-së vizituan Sylejman Selimin me të cilin biseduan për gjendjen shëndetësore që e ka dhe zhvillimet e fundit për çka Sylejman Selimi është deklaruar publikisht duke pohuar se ndaj tij po bëhen shkelje flagrante të drejtave të personave të privuar nga liria e që hyjnë në kompetencat e KMDLNj-së, organizatë për të drejtat e njeriut për faktin se edhe të privuarit nga liria ndonëse janë të privuar nga disa të drejta (të rregulluara me ligjet në fuqi) nuk janë të privuar nga të drejtat tjera e që respektohen në të gjitha shtetet dhe që janë të rregulluara me LESP-in. Gjendja shëndetësore e të dënuarit Sylejman Selimit nuk është e mirë dhe ajo mbahet nën kontroll me një terapi të përditshme, për shkak të dhembjeve të mëdha të kokës nga migrena sikur edhe për shkak të problemeve reumatike”, është thënë në komunikatën e KMDLNj-së, raporton “Epoka e re”.
Gjatë vizitës së KMDLNj-së, monitorues të kësaj organizate kishin qasje në “arsenalin” e barërave që përdorte Sylejman Selimi sikur që u vërtetuan se vetëm me injeksione të qetësuesve, përkohësisht mbahej nën kontroll kokëdhembja e tij.
“Përkundër kësaj gjendjeje shëndetësore, Sylejman Selimi i deklaron KMDLNj-së se nuk kërkon trajtim të veçantë shëndetësor dhe se ka parasysh mundësitë që ofrohen në QKD-ja për trajtim shëndetësorë. Po ashtu Sylejman Selimi i ka deklaruar KMDLNj-së se është refuzuar kërkesa e tij për lirim të parakohshëm nga paneli për lirim me kusht ndonëse i ka plotësuar kushtet e parapara; ka vuajtur 2/3 të dënimit, më shumë se 1 vit është shfrytëzues i beneficioneve (vikendeve në shtëpi), nuk ka asnjë vërejtje nga stafi dhe ka gjendjen shëndetësore të përkeqësuar”, është thënë në këtë komunikatë.
Gjatë takimit me monitoruesit e KMDLNj-së, Sylejman Selimi, ka shfaqur pakënaqësi të madhe shkaku se Gjykata Supreme nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila ka gjetur shkelje të procedurës dhe ka kërkuar rishqyrtim të lëndës.
“Për këtë arsye, i dënuari Sylejman Selimi i ka deklaruar KMDLNj-së se mbahet kundërligjshëm më shumë se pesë (5 muaj), pa vendim të gjykatës dhe se përmes shkeljes së ligjit atij i shkelen të drejtat elementare të njeriut. Për ta vërtetuar këtë thotë se në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë shkarkuar apo dorëhequr dy presidentë të Kosovës me një procedurë shumë të përshpejtuar. I dënuari Sylejman Selimi thotë se nëse gjykata përkatëse merr vendim për hetime ndaj atij duhet t’i ndërrohet statusi, nga i dënuar në të paraburgosur dhe jo të mbahet në vuajtje të dënimit, pa vendim të gjykatës, pas një procesi të montuar politik, me vetëm një dëshmitar dhe pa e ditur identitetin e personit se kinse është rrahur, që qenka nga Shipoli por, pa emër dhe mbiemër”.
“Këtë proces dhe këtë gjykim e quan të pashembullt, dhe pa asnjë të ngjashëm në praktikat e drejtësisë ndërkombëtare dhe vendore. Sylejman Selimi e konsideron veten të përjashtuar nga çdo mbrojtje për faktin se Gjykata Supreme, më shumë se pesë (5 muaj) nuk e zbaton rekomandimin dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si autoritet suprem i drejtësisë në Kosovë. Për këtë arsye, i dënuari Sylejman Selimi dyshon se prapa vendimit jolirues të Panelit për Lirim me Kusht dhe prapa refuzimit të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës është një ndërhyrje e faktorit politik vendor dhe ndërkombëtar duke mos përmendur emra të individëve apo institucioneve që qëndrojnë prapa këtyre ndërhyrjeve”, është bërë me dije në komunikatën e KMDLNj-së.
KMDLNj ka njoftuar se pasi ta ketë në disponim tërë materialin gjyqësor për rastin e Sylejman Selimit do të dalë me një raport i cili do t’i evidentojë shkeljet e mundshme pas së cilave, do të kërkojë përgjegjësi ndaj atyre që kanë bërë shkelje, nëse ato dëshmohen.
/Epoka e re/