KMDLNj i shkruan letër Lumezit për vrasjet politike

27 shtator 2018 | 13:43

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) i është drejtuar me anë të një letre kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, duke kërkuar sqarime për vrasjet politike dhe etnike pas luftës në Kosovë.

KMDLNJ-ja me theks të veçantë ka përmendur deklaratat e ish-deputetit Gani Geci, i cili ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka urdhëruar vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit në vitin 1998 në Tiranë.

Letra e plotë e KMDLNJ-së dërguar Lumezit:

Kur do të zbardhen vrasjet e cilësuara si politike dhe etnike?!

Pas përfundimit të luftës në Kosovë ishin me qindra vrasje të qytetarëve të Kosovës të cilësuara si vrasje për qëllime politike dhe etnike dhe të cilat nuk u zbardhen as sot e kësaj dite. Në atë kohë hetimi dhe zbardhja e këtyre vrasjeve ishte përgjegjësi ekskluzive e UNMIK-ut i cili, pastaj, këto përgjegjësi, bashkë me lëndët e rasteve iu dorëzuan UNMIK-ut të EULEX-izuar apo Misionit për Sundim të Ligjit. Asnjë rast i vrasjeve të cilësuara si politike dhe etnike, pasi nuk janë siguruar prova materiale nuk është zgjidhur duke e rritur mosbesimin ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe, në shumë raste duke u keqpërdorur për qëllime politike në ndërkohë që familjet, me të drejtë kanë pritur dhe kërkuar drejtësi për të vrarët dhe përgjegjësi për ata që i kryen këto vrasje apo për ata që urdhëruan kryerjen e këtyre vrasjeve. Gjatë dhe sidomos pas përfundimit të luftës, në rrethana të pasqaruara u ekzekutuan apo u zhdukën pa gjurmë anëtarë dhe aktivistë politikë kryesisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ushtarë dhe komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëtarë të minoriteteve kryesisht të atij serb por edhe romë, boshnjak, turk, etj.

Në mungesë të sigurimit të provave materiale, nuk kishte as procese gjyqësore kurse, edhe në raste të gjykimeve të rralla, aktakuzat mbetën të pambrojtura dhe të akuzuarit liroheshin , në mungesë të provave.

Kjo situatë e që mund të përshkruhej si kaotike në sistemin e drejtësisë e që udhëhiqej nga ndërkombëtarët, sigurisht për shkak të opurtunitetit politik nuk siguroi drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre e as përgjegjësi për ata që dyshoheshin se ishin prapa krimeve por që ndaj tyre nuk kishte prova të mjaftueshme për t’iu dëshmuar të kaluarën kriminale dhe përgjegjësinë konkrete për përfshirje në krime e që ishin bartës të posteve të larta politike dhe publike.

Proceset gjyqësore kanë dështuar për faktin se pjesa dërrmuese e “dëshmitarëve të mbrojtur”, të “akuzuarve bashkëpunues” si dhe të “dënuarve bashkëpunues”, nën kërcënim të jetës janë detyruar t’i ndryshojnë deklaratat dhe për këtë janë dënuar nga gjykatat me burg ose me dënime me të holla kurse, një numër i madh i tyre është vrarë apo ka humbur jetën në rrethana të pasqaruara e që nënkupton se plotësisht ka dështuar Programi i mbrojtjes së dëshmitarëve.

Këto vrasje apo kërcënime kanë ndodhur për shkak të dekonspirimit të këtyre personave dhe rrjedhjes së informatave dhe nuk është bërë asgjë të ndërmerren masa ligjore ndaj atyre që e dështuan, me qëllim apo pa qëllim Programin për mbrojtje të dëshmitarëve.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte për ish-Jugosllavi apo Tribunali i Hagës, përkundër pritjeve të drejta dhe të arsyeshme të familjeve të viktimave nuk ka siguruar drejtësi dhe nuk ka siguruar asnjë informatë për sqarimin e rasteve. Për shkak të dështimit të të gjitha hallkave të sistemit të drejtësisë në Kosovë për zbardhjen e këtyre rasteve, familjarët po ushqejnë shpresa të mëdha se Gjykata Speciale – Dhomat e Specializuar për Kosovën do t’i zbardhin këto raste duke siguruar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi penale për ata që i kryen krimet ndonëse kjo Gjykatë ka mandat vetëm për Raportin e Dik Martit. Prandaj, KMDLNj mendon, në bazë të përvojës që e ka se shumë familje dhe familjarë do të mbesin të zhgënjyera dhe të pashpaguara.

Me kalimin e përgjegjësive  tek institucionet e drejtësisë kosovare, kërkesa për zbardhjen e këtyre rasteve vetëm sa po rritet sikur që edhe denoncimet për kryerësit e këtyre krimeve po bëhen publike.

Kohë më parë presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaqçi iu dërgoi një kërkesë -urdhëresë juve zoti kryeprokuror Lumezi për zbardhjen urgjente të këtyre rasteve kurse Ju premtuat se do t’i ndërmerrni hapat e nevojshëm duke vënë në lëvizje mekanizmat hetues e që deri më tani vendnumëronin. Realisht, këtë kërkesë – urdhëresë, KMDLNj e pati cilësuar si ndërhyrje politike në drejtësi për faktin se prokuroria duhet të veprojë sipas mandatit të përcaktuar ligjor e jo sipas kërkesave “ad hoc” e që mund të jenë të motivuara politikisht.

Nëse kthehemi disa ditë pas, atëherë e kemi një denoncim publik të një ish- deputeti të Kosovës, z. Gani Geci, i cili ngre akuza të drejtpërdrejta dhe duke mos lënë asnjë dyshim se presidenti i Kosovës qenka urdhërdhënës për vrasjen e Ahmet Krasniqit në Tiranë si dhe vrasjeve tjera që cilësohen si politike dhe që kanë mbetur të pasqaruara. Gani Geci nuk deklaron se ka dyshime, se ka dëgjuar nga një person tjetër apo se flitet se presidenti Thaçi ka përgjegjësi konkrete për vrasje të cilësuara si politike por flet me një siguri thuaja 100% duke pranuar se këto dëshmi i ka dhënë në Gjykatën Speciale dhe se do të jetë dëshmitar i kësaj Gjykate kundër presidentit Thaçi.

Çdo prokurori dhe çdo prokuror në një vend ku funksionon drejtësia do ta priste me shumë gëzim dhe dashamirësi denoncimin publik të Gani Gecit ndaj Hashim Thaçit dhe menjëherë do t’i vënte në lëvizje mekanizmat e nevojshëm ndaj presidentit Thaçi i cili nuk gëzon imunitet për krime lufte apo krime kundër njerëzimit si dhe civilëve të pafajshëm. Ka kaluar një kohë dhe Prokuroria e Shtetit po heshtë që është e papranueshme nga aspekti ligjor e sidomos nga aspekti i të drejtave të njeriut.

Ish-deputeti Geci, përkatësisht familja e z. Geci e bëri publik një rrezik se po përgatitet vrasja e ish-deputetit Geci dhe në këtë kontekst e dërgoi një kërcënim të hapur ndaj presidentit Thaçi se nga ai dhe vetëm nga ai do të kërkohet përgjegjësi nëse eventualisht i ndodhë ndonjë e keqe familjarit të tyre duke përmendur edhe “kapacitetin” kërcënues prej 6 vëllezërve dhe, së paku 100 meshkujve të kabiles Geci e që nuk ka të bëjë fare me ligjet në fuqi por me të drejtën zakonore – Kanunin e Lekë Dukagjinit. Përmendja e kanunit e dërgoi në burg deputetin Milaim Zeka sikur që po kërcënohet me arrestim edhe deputeti Demalijaj.

Pas kësaj, ish-deputeti Gani Geci udhëtoi jashtë vendit ndonëse ka pasur arsye që të futet në Programin për mbrojtje të dëshmitarëve. Siç është i informuar opinioni ndaj ish-deputetit Geci është një proces gjyqësor për një vrasje që e ka pranuar edhe vet duke e cilësuar si mbrojtje të domosdoshme. Po në këto rrethana, sipas ish-deputetit Geci, e ka vrarë edhe një komandant të UÇK-së , Abedin Rexhën.

KMDLNj nuk e ka të qartë dhe kërkon që ju, Kryeprokuror i Shtetit të sqaroni se si një i akuzuar për vrasje, pa përfunduar procesi gjyqësorë mund të udhëtojë lirisht  jashtë shtetit?! A ka marrë leje nga gjykata kompetetnte apo nuk ka asnjë kufizim nga gjykata për të lëvizur lirisht brenda dhe jashtë vendit?!

Meqë, në rastin konkret kemi të bëjmë me një deklaratë shumë të drejtpërdrejt të ish-deputetit Gani Geci për përfshirje të presidentit Thaçi në vrasje të cilësuara si politike dhe se kjo deklaratë ishte publike, KMDLNj kërkon që ju të na tregoni sikur edhe për opinionin e gjerë se çfarë veprime keni ndërmarrë që t’i vërtetoni apo hidhni poshtë pohimet e z. Geci.

Nëse z. Geci ka të drejtë në denoncimin publik që e bëri, sipas ligjit jeni të detyruar t’i ndërmerrni veprimet ndaj presidentit Thaçi, në të kundërtën, nëse pohimet e ish-deputetit Geci dalin të pavërteta, gjithashtu, në përputhje me ligjin duhet të ndërmerrni veprime ligjore ndaj z. Geci. Në këtë rast nuk mund të jenë dy të vërteta; ose z. Geci ka të drejtë dhe për këtë arsye z. Thaçi duhet të përballet me pasoja ligjore, ose z. Geci, nëse del se ka dezinformuar prokurorinë dhe opinionin duhet të përballet me pasoja ligjore.

KMDLNj, që nga përfundimi i luftës ka kërkuar zbardhjen e rasteve të vrasjeve të cilësuara si politike dhe etnike duke mos e paragjykuar fajësinë derisa gjykata përkatëse, me një vendim të prerë e përcakton përgjegjësinë penale, pas administrimit të provave.

KMDLNj, mbështetur në mandatin që ka në radhë të parë është mbrojtës i viktimave, pa dallim përkatësie etnike, bindjeve politike, statusi në shoqëri, etj. sikur edhe në anën e familjeve të viktimave që kërkojnë drejtësi e që deri më tani u është mohuar dhe në këtë kontekst nuk ka asnjë dyshim se të gjithë atyre të cilëve u dëshmohet fajësia për krimet e bëra, duhet të dënohen pavarësisht posteve që i kanë, që i kanë pasur në të kaluarën apo meritave që mund t’i kenë pasur në të kaluarën.

KMDLNj, gjithashtu është mbrojtës i atyre që denoncohen botërisht për përgjegjësi për krime eventuale dhe të cilëve nuk iu dëshmohet fajësia e që iu nënshtrohen një linçimi publik dhe degradues.

I nderuar kryeprokuror i shtetit,

Mos zbardhja e krimeve te cilësuara si politike dhe etnike paraqet dhunim i të drejtave elementare të drejtave të njeriut , të familjeve të cilat me të drejtë kërkojnë informata për fatin e më të dashurve të tyre, drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kriminelët e dyshuar e që iu dëshmohet fajësia.

Nuk ka zbatim të Ligjit pa respektuar të drejtat e njeriut dhe duke i shkelur ato të drejta sepse këto të drejta mbrohen vetëm me Ligj.

Adresoni, jo dyshimet, por denoncimin e ish-deputetit Gani Geci ndaj presidentit Thaçi pas së cilave do të përcaktohej përgjegjësia konkrete, ose kundër presidentit Thaçi, ose kundër ish-deputetit Gani Geci.

KMDLNj pret nga ju të zgjidhni këtë lëmsh sepse ju detyron ligji sikur që edhe KMDLNj e ka detyrim t’ua ofrojë të gjitha materialet që i ka për zbardhjen e këtyre rasteve.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, u ka bërë thirrje shteteve…