KMDLNj-ja dhe UP-ja nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me të cilën parashihet që ky këshill të marrë në punë praktike studentë të UP-së çdo tre muaj.
Marrëveshja në fjalë është nënshkruar nga rektori i UP-së, Marjan Dema dhe drejtori i KMDLNj-së, Behxhet Shala.
Studentët që do të jenë pjesë e punës praktike në KMDLNj sipas kësaj marrëveshjeje do të jenë nga Fakulteti Juridik, Filologjik, Filozofik dhe fakulteteve të tjera.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe KMDLNj-ja, përmes një komisioni të përbashkët, e bëjnë përzgjedhjen e studentëve çdo tre muaj.
Me rastin e përzgjedhjes së studentëve për punë praktike vullnetare, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe KMDLNj-ja do të marrin parasysh notën mesatare të studentëve.
Angazhimi në punë praktike është vullnetar. Në fund të periudhës së angazhimit, KMDLNj-ja bën vlerësimin e punës së praktikantëve dhe bazuar në këtë vlerësim lëshon certifikatë për punën praktike të kryer nga studentët.