KMDLNj-ja: Gjendje jo e mirë në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka bërë me dije se disa herë ka vizituar Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, vetëm dy muaj pasi aty janë vendosur të paraburgosurit.
KMDLNj-ja ka theksuar se është në përgatitje të një raporti më të gjerë për këtë Qendër të Paraburgimit duke identifikuar një numër të problemeve , kryesisht të natyrës teknike për shkak të cilësisë së dobët të punimeve.
Lidhur me këtë çështje, KMDLNj-ja ka njoftuar se ka takuar ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe atë të Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar.
“Më datë 25.03.2019 përfaqësues të KMDLNj-së, përfaqësues të MAP (përgjegjës për ndërtimin e kapaciteteve të Shërbimit Korrektues), përfaqësuesi ligjor i firmës që i ka kryer punimet në këtë qendër të paraburgimit dhe drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Hajvali, së bashku me bashkëpunëtorë vizituan lokacionet e identifikuara e që janë të dëmtuara në përpjekje të gjejnë një zgjidhje për evitimin e tyre”, është thënë në komunikatën e KMDLNj-së.
Ky këshill ka theksuar se ndërtimi i Qendrës së Paraburgimit në Hajvali ka kushtuar rreth 7 milionë euro dhe vetëm dy muaj pas fillimit të punës ka dëmtime; lagështi, dëmtim i pllakave, dëmtim i mureve, kullat vrojtuese jo funksionale, etj.