KMDLNj-ja: Greva e SBAShK-ut nuk e rrit cilësinë në arsim
Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj grevës së organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).
Ky këshill ka thënë se kjo grevë nuk e rrit cilësinë në arsim. Pavarësisht kësaj, KMDLNj-ja ka theksuar se se mbron të drejtën e organizimit sindikalist dhe grevën si mundësi për arritjen e qëllimeve për përmirësimin e kushteve të punëtorëve të arsimit, në rast se shteren të gjitha mundësitë tjera e që mund të realizohen përmes dialogut me autoritetet përgjegjëse, në rastin konkret me MASHT-in dhe Qeverinë e Kosovës.
Megjithatë, KMDLNj-ja ka deklaruar se nuk janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e dialogut dhe se greva do të prodhojë efekte negative sidomos për fëmijët parashkollorë dhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme si edhe për personelin arsimorë (mësimdhënësit) sikur edhe për prindërit.
“Kërcënimi i SBASHK-ut se kjo grevë mund të zgjasë për muaj të tërë nënkupton se ky vit shkollorë mund të jetë i humbur për nxënësit e që do të ishte dëm i madh dhe i pariparueshëm për nxënësit. Kërkesa për grevë që mund të zgjasë për muaj të tërë, në fakt është përpjekje të legalizohet kushtëzimi për arritjen e qëllimeve dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dëmshëm”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj-ja ka thënë se SBAShK-u dhe Qeveria e Kosovës duhet të dialogojnë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, gjithnjë duke pasur parasysh mundësitë buxhetore të Qeverisë si dhe nevojat e arsyeshme të mësimdhënësve për përmirësimin e statusit të tyre material.