KMDLNj-ja i quan të panevojshme tensionet rreth ndërtimit të Xhamisë së Madhe
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas protestës që është mbajtur të mërkurën kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Ky këshill ka thënë se se të drejtat dhe liritë fetare në Kosovë, si pjesë shumë e rëndësishme e korpusit të drejtave themelore të njeriut janë të rregulluara me ligjet e Kosovës për të gjitha komunitetet fetare dhe besimtarët e të gjitha besimeve e që janë në përputhje të plotë me dokumentet dhe konventat ndërkombëtare që i rregullojnë të drejtat e besimit dhe zbatimit të fesë.
Më tutje, KMDLNj-ja ua ka përkujtuar të gjithë qytetarëve të Kosovës, edhe atyre që protestojnë kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe se e drejta për protestë është e rregulluar me ligj dhe është e drejtë demokratike deri në momentin kur nuk shkelë të drejtat e njeriut të tjerëve.
“KMDLNj-ja fton të gjithë qytetarët e Prishtinës, për rastin konkret, por edhe të Kosovës ta ruajnë dhe kultivojnë tolerancën fetare dhe të mos e tensionojnë situatën duke respektuar të gjitha besimet dhe besimtarët pa bërë asnjë dallim. KMDLNj-ja mbron të drejtat dhe liritë fetare, pa bërë asnjë dallim dhe e dënon çdo shkelje të këtyre të drejtave. Po të ishte e përcaktuar me ligj që qytetarët përmes referendumit të deklarohen për ndërtimin apo kundërshtimin e ndërtimit të cilitdo objekti fetar apo lokacionit, do ta kishim një situatë tjetër. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një ndërtim të ligjshëm, me leje prandaj protesta kundërshtuese edhe mund të merret si shkelje e të drejtave dhe lirive fetare e që për KMDLNj-në është krejtësisht e papranueshme. Praktikimi i fesë nuk duhet të konsiderohet as si çështje politike e as patriotike, por si nevojë shpirtërore dhe krejtësisht personale”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
(Q.R/ Epoka e re)