KMDLNj-ja: KEDS-i e luan lojën, ne e paguajmë çmimin!
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar për ngritjen e çmimit të rrymës. Ky këshill, ka thënë se Shërbimi i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) është i përjashtuar nga çdo kontroll dhe se me ndihmën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) është duke ndryshuar çmimin e energjisë elektrike.
“Për shkak të ngritjes së çmimit të naftës për 6 apo 7 centë, francezët për ditë të tëra po protestojnë në Francë dhe qytete tjera, me ç’rast policia franceze po përdorë gaz lotsjellës, topa me ujë dhe mjete të tjera për menaxhimin e protestave kurse protestuesit po ngrenë barrikada në vendet ku po protestojnë. Deri më tani janë dy protestues që kanë humbur jetën dhe më shumë se 600 protestues dhe policë të lënduar rëndë dhe lehtë. Në Kosovë KEDS-i, i përjashtuar nga çdo kontroll dhe skajshmërisht i papërgjegjshëm, me ndihmën e aleatit tradicional, ZRrE-së e cila do të duhej të mbrojë interesin e konsumatorit, kur t’i teket e ndryshon çmimin e energjisë elektrike, i cakton tarifat ku zakonisht të humbur dalin qytetarët kurse fitues KEDS-i, i fryen faturat sa të dojë duke i kamufluar me ndryshim të tarifave dhe pozicioneve”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Në këtë kontekst, KMDLNj-ja ka vlerësuar se këto tarifa janë duke shkaktuar situata të paqarta tek qytetarët, duke i detyruar ata për vite të tëra të paguajmë për rrymën e pashpenzuar, të cilën e kanë shpenzuar serbët, të cilët nuk e kanë paguar e as që e paguajnë as tani.
“Na detyron të paguajmë për mirëmbajtjen e rrjetit dhe humbjen e energjisë elektrike. Na detyron ta paguajmë rrymën me para kesh dhe jo me kartela bankare siç preferohet në të gjitha vendet e botës, shkaku se nuk dëshiron të importojë rrymë me çmime më të larta kur ka mungesë të rrymës. Bënë reduktime të tmerrshme që zgjasin me orë të tëra (në Prishtinë dhe qytete tjera) kurse me ditë të tëra në qytete të vogla dhe fshatra, nuk i kompenson ekonomitë familjare për dëmet që ua shkakton për shkak të furnizimit të ç’rregullt me rrymë, diskriminon konsumatorët (shpenzuesit e mëdhenj, kryesisht të huaj i favorizon me çmime dhe i furnizon me rregull), i dëmton shumë prodhuesit vendorë deri në falimentim dhe për këtë asnjëherë nuk është vënë para përgjegjësisë”, është thënë këtë reagim.
Më tutje, KMDLNj-ja ka theksuar se Qeveria e Kosovës me një vendim të saj pas raportit të Avokatit të Popullit dhe këtij këshilli ka marrë vendim të ndërpritet pagesa e energjisë elektrike që qytetarët e bënin për serbët të cilët nuk e paguanin atë deri më sot.
Pavarësisht kësaj, KMDLNj-ja ka thënë se Qeveria nuk e ka marrë asnjë veprim që do ta detyronte KEDS-in dhe ZRRE-në t’i kompensojë në mënyrë retroaktive konsumatorët e plaçkitur.
“KEDS-i, pasi me një shumë qesharake privatizoi asetet me vlerë qindra milionë euro, mori për detyrim furnizimin e rregullt 24 orësh për të gjithë qytetarët-konsumatorët e Kosovës ndërkaq reduktimet e fundit po e tregojnë një gjendje tjetër, arrogancën e KEDS-it e që po mbetet i pandëshkuar nga institucioni përkatës. Në çdo kontratë parashihen penalizime për mospërmbushje të kushteve të kontratës andaj KMDLNj-ja pyetet pse KEDS-i në Kosovë qëndron mbi ligjin dhe përjashtohet nga penalizimet e ligjshme?!”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj e cila drejtohet nga Behgjet Shala, ka theksuar se qytetarët e Kosovës mezi i paguajnë faturat e rrymës.
“Nëse kemi parasysh faktin se në Kosovë, një pjesë e madhe e qytetarëve – konsumatorëve janë kategori sociale (pensionistët, të papunët, studentët, të sëmurët, etj) dhe të cilët kanë vështirësi t’i mbulojnë shpenzimet e faturave (të fryra sidomos, gjatë periudhës dimërore) e lëre më t’i nënshtrohen keqtrajtimit nga ana e KEDS – it si në aspektin financiar ashtu edhe në aspektin e redukrimeve të gjata siç po veprohet tani. Edhe më parë KMDLNj ka rekomanduar që qytetarët – konsumatorët të mos paguajnë për rrymën e pashpenzuar kurse të jenë të përpiktë në shlyerjen e borxheve për rrymën që e shpenzojnë. Gjithashtu, për realizimin e të drejtave të kompensimit për dëmet e shkaktuara, qoftë për fryerje të faturave, dëmeve në ekonomitë familjare dhe biznes duhet t’i drejtohen gjykatës përkatëse e cila duhet t’i shqyrtojë me prioritet këto kërkesa për zhdëmtim e jo që këto raste të zvarriten një kohë të gjatë”, është thënë në reagimin e këtij këshilli.
Krejt në fund, KMDLNj-ja ka ftuar qytetarët se protestat qytetarëve kundër këtyre padrejtësive janë legjitime. “Protestat paqësore janë mjet i lejuar demokratik për sensibilizimin e opinionit, komisioneve parlamentare , qeverisë që të jenë më efikas për të mbrojtur interesin e qytetarit – konsumatorit ndaj arbitraritetit, papërgjegjësisë dhe arrogancës së KEDS-it dhe ZRrE-së, që janë shndërruar në ankth për qytetarë. Me këto veprime të KEDS-it, ZRrE-së ndaj qytetarit – konsumatorit po bëhen shkelje flagrante të drejtave të njeriut e që po mbesin të pa adresuara shkaku se nuk po gjejnë përgjigje të merituar dhe mbrojtje nga këto shkelje”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
/Epoka e re/