KMDLNj-ja kërkon nga opozita të marrë përgjegjësi në procesin e dialogut me Serbinë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar nga opozita që të përfshihet në procesin e dialogut me Serbinë.
Ky këshill ka vlerësuar se refuzimi eventual nuk e liron opozitën nga përgjegjësia në rast të një marrëveshje jo të mirë për Kosovën.
KMDLNj ka thënë se çdo qeveri e zgjedhur me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës është legjitime. Në këtë kontekst, ky këshill ka vlerësuar se qeveria Hoti është plotësisht legjitime, raporton “Epoka e re”
“Pjesëmarrja e opozitës në procesin negociator, në mos asgjë tjetër e siguron transparencën e që deri më tani ka munguar, duke krijuar paqartësi dhe dyshime në këtë proces shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj”.
“Pozita ka përgjegjësi kushtetuese të udhëheq dialogun me Serbinë, por se nuk mund ta marrë asnjë vendim të rëndësishëm për Kosovën pa pajtimin dhe pjesëmarrjen e opozitës. Mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës dhe shtrirja e sovranitetit të plotë brenda këtij integriteti territorial nuk duhet të diskutohet as edhe si propozim dhe pikërisht roli i opozitës, si pjesë e ekipit negociator është të mos lejojë asnjë mundësi apo hapësirë për këtë”, është thënë në komunikatën e KMDLNj-së.
Më tutje, KMDLNj-ja ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para se të shkojë në Uashington duhet t’ju drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe t’i informojë ata për parimet dhe pikat që do të jenë të panegociueshme.