KMDLNj-ja kërkon që taksa ndaj produkteve të Serbisë të rritet në 50 për qind
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës mbrojtëse për produktet e importuara nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Kjo masë mbrojtëse nënkupton taksën prej 10-përqindësh të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Serbinë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën.
KMDLNj ka vlerësuar se liria e lëvizjes dhe qarkullimi i lirë i mallrave, si të drejta elementare të njeriut dhe si garantues të zhvillimit ekonomik në Kosovë po dhunohen brutalisht nga Serbia, e ndihmuar nga një pjesë e burokracisë së vendeve të BE-së, biznesmenët e kriminalizuar kosovarë dhe një pjesë e kriminalizuar e politikës vendore.
KMDLNj ka propozuar që kjo taksë të rritet në masën së paku 50 për.
“KMDLNj propozon që kjo taksë të rritet në masën së paku 50% sikur që të zbatohet 100% reciprociteti me Serbinë dhe për këtë besoj se do ta kenë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, pavarësisht çmimit që duhet të paguajnë”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj ka vlerësuar se mallrat nga Serbia e kanë vërshuar tregun kosovar dhe nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli sikur që skajshëm e kanë rritur informalitetin në ekonominë, edhe ashtu të brishtë të Kosovës.
“Vendosja e taksës doganore prej 10 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja është një veprim simbolik, afatshkurtër dhe më shumë një blof politik për faktin se ndaj Serbisë dhe Bosnjës është dashur të vendosen taksa në nivel që Serbia dhe Bosnja e dëmtojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe kjo është dashur të vendoset që nga koha e shpalljes së pavarësisë së Kosovës kur Serbia nisi një luftë të hapur për shkatërrimin e Kosovës, si në planin ndërkombëtar ashtu edhe në atë të brendshëm. Bashkësia ndërkombëtare është treguar e padrejtë ndaj Kosovës duke e lejuar Serbinë të ndërhyjë në mënyrë flagrante në punët e brendshme të një shteti, pavarësinë e së cilit e kanë njohur pjesa dërmuese e këtyre shteteve”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas KMDLNj-së BE-ja po përdorë standarde të dyfishta dhe është dyfytyrëshe edhe sa i përket liberalizimit të vizave duke vendosur kushte shtesë për Kosovën e të cilat nuk ishin kusht për asnjë shtet të Ballkanit dhe duke e shtyrë liberalizimin e vizave drejt kushtëzimit për lëshime politike që përmbajtësisht e dëmtojnë Kosovën.
“Kushtëzimi si mjet për arritje të qëllimeve politike dhe të tjera është vepër penale e cila sanksionohet me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, ka theksuar të mërkurën se Qeveria e Kosovës ka qenë e obliguar që të ndërmarrë masa ndaj importeve të shtetit të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës në mënyrë që t’i mbrojë prodhuesit vendorë dhe që mos të falimentojnë bizneset vendore.
Pavarësisht prej presionit të BE-së për ta shfuqizuar këtë masë, ministri Shala beson se Qeveria nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj. “Besoj dhe shpresoj se Qeveria do të vazhdojë ta mbajë këtë masë”, ka thënë Shala.
/Epoka e re/