KMDLNj-ja: Kuvendi, vend për pushim dhe relaksim
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) nëpërmjet një reagimi publik ka theksuar se po bëhen tri javë që Kuvendi i Kosovës nuk ka mbajtur asnjë seancë.
Në reagimin e këtij këshilli është thënë se përkundër se nuk mbajnë asnjë seancë, deputetë vazhdojnë të kenë përfitime të shumta. Në këtë kontekst, KMDLNj-ja ka vlerësuar se Kuvendi është shndërruar në një vend të pushimit dhe relaksimit për deputetët.
“Kemi hyrë në javën e tretë kur Kuvendi i Kosovës nuk e ka mbajtur asnjë seancë ndonëse ka pika të rendit të ditës të bartura edhe nga viti 2022. Në anën tjetër, me Rregulloren e re të Kuvendit kemi përfitime të ndjeshme, që nga kryetari i Kuvendit i cili, përfiton thuaja 80 për qind më shumë krahasuar më parë. Linja e përfitimeve përfshinë edhe nënkryetarët, deputetët dhe të tjerët, puna e të cilëve ndërlidhet me Kuvendin e Kosovës. Rritja e përfitimeve në vendet normale kryesisht kushtëzohet me rritje të punës dhe përgjegjësive si dhe performancës që vlerësohet si e suksesshme ndërkaq, në rastin e Kuvendit të Kosovës kjo rritje është shkelje e standardeve minimale të moralit sepse kjo rritje është në kundërshtim të plotë me punën që e bëjnë përfituesit, të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm duke filluar nga kryetari i Kuvendit që po i prinë këtij shpërdorimi institucional, moral dhe material”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Më tutje, KMDLNj-ja ka theksuar se në Kosovë pjesa e madhe e qytetarëve janë duke u përballur me probleme të mëdha ekzistenciale, “prandaj një numër i madh i tyre po kërkon shpëtim përmes largimit nga vendi, numri i të cilëve kapë shifra alarmante”.
“Kategoritë e margjinalizuara (pensionistët, përfituesit e ndihmave sociale, veteranët e luftës dhe kategoritë përfituese nga lufta) marrin kompensim simbolik apo kompensim social në kohën kur pikërisht këta e përbëjnë pjesën më të madhe të votuesve, deputetëve aktualë të Kuvendit të Kosovës, të cilët, në vend se ta përfaqësojnë vullnetin e votuesve, e shpërdorin besimin që iu është dhënë. Çuditërisht, askush nuk doli në Kuvendin e Kosovës të kundërshtoi këto përfitime të pamerituara dhe të kërkojë përkrahje më të madhe për kategoritë e margjinalizuara”, është thënë në këtë reagim.
Sipas këtij reagimi, KMDLNj-ja ka pritur që Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës do të garantojë rend dhe rregull duke sanksionuar mospunën e deputetëve.
“Tash, pas miratimit të Rregullores së re të Kuvendit të Kosovës që ua trashë lëngun të gjithë përfituesve, jo që nuk po mbahen seanca me një dinamikë të përshpejtuar për ta kompensuar kohën e humbur por, siç ndodhi në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, nuk u sigurua kuorumi as për mbledhje të Kryesisë në të cilën do të përpilohej rendi i ditës për seancën e radhës”
“Kuvendi i Kosovës ka mandat kushtetues dhe ligjor ta mbikëqyrë punën e qeverisë së Kosovës dhe po ndodhë pikërisht e kundërta, Qeveria e Kosovës është bërë më Kuvend se vet Kuvendi i Kosovës kurse kryefolësi i Kuvendit është bërë zëdhënës i qëndrimeve politike të Qeverisë së Kosovës duke respektuar rreptësisht hierarkinë; se pari deklarohet kryeministri pastaj, me një vonesë të vogël ia vërteton kryefolësi i Kuvendit”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së, duke shtuar se Kuvendi i Kosovës është më përtaci në rajon.
“KMDLNj-ja nuk e ka të qartë pse deputetët dhe udhëheqja e Kuvendit duhet të kompensohen shtesë për punët që përfshihen në përshkrimin e vendit të punës. Gjithashtu nuk është aspak i qartë qëllimi pse po vepron në këtë mënyrë Kuvendi i Kosovës. A duan ta përfundojnë mandatin duke i rënë flladit apo duan të provokojnë zgjedhje të reja në një moment kur e vlerësojnë si të përshtatshëm për këtë?”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.