KMDLNj-ja: Lajçaku kërcënoi Kosovën pas paralajmërimit për hapjen e urës së Ibrit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka akuzuar emisarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për kërcënimin e Kosovës pas paralajmërimit për hapjen e Urës së Ibrit.
Sipas KMDLNj-së, Lajçaku shumë herë në deklarata publike ka demonstruar paternalizëm të skajshëm për Serbinë duke bërë presion ndaj Kosovës, edhe jashtë mandatit të përcaktuar nga BE-ja.
Ndërkohë në lidhje me propozimin për hapjen e Urës së Ibrit, KMDLNj-ja ka thënë se emisari evropian me ndërhyrjet në punë të brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran, “duke kërkuar që ura mbi lumin Ibër të mos hapet për qytetarë, po del kundër kësaj vlere dhe të drejte të njeriut siç është liria e lëvizjes”.
“Në procesin e bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, si lehtësues janë dy mohues të pavarësisë së Kosovës, Josep Borrell nga Katalonja e Spanjës dhe Mirosllav Lajçak nga Sllovakia të cilët, në të njëjtën kohë janë rëndues në këtë proces për Kosovën duke u deklaruar anshëm për Serbinë. Sidomos është i shquar Mirosllav Lajçak që Kosovën po e keqpërdorë për pasurim të CV–së personale dhe ngritje në karrierë”.
“Shumë herë në deklarata publike ka demonstruar paternalizëm të skajshëm për Serbinë duke bërë presion, edhe jashtë mandatit të përcaktuar nga BE. Josep Borrell, në jo pak raste ishte treguar arrogant dhe kërcënues ndaj politikanëve kosovarë me shantazhin se ‘ai (dhe Lajçaku) nuk janë thjeshtë lehtësues por përcaktues edhe për vendimet që duhet t’i marrin politikanët kosovarë’”,është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Më tutje, KMDLNj-ja ka theksuar se gjatë vizitës së fundit në Kosovë, “Lajçaku kërcënoi haptas në mënyrën më të pamoralshme të mundur se Kosova duhet të përcaktohet midis përshkallëzimit dhe normalizimit me paralajmërimin se do të hapet ura mbi lumin Ibër që do të mundësonte lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe jo vetëm të Mitrovicës, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, moshës, gjinisë apo bindjeve politike”.
“Po në vendin ku Lajçaku merr rrogë marramendëse për rolin që po e luan në Kosovë, liria e lëvizjes konsiderohet dhe trajtohet si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut”, është thënë në këtë reagim.
Deri më tani, KMDLNj-ja ka theksuar se qytetarët e Kosovës kanë qenë të izoluar sa i përket lëvizjes së lirë në Evropë e tani, “Mirosllav Lajçak me ndërhyrjet arbitrare në punë të brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran, duke kërkuar që ura mbi lumin Ibër të mos hapet për qytetarë në mënyrë të lakuriquar po del kundër kësaj vlere dhe të drejte të njeriut siç është liria e lëvizjes”.
“Pra, burgun e madh për Kosovën e që është mohimi i lirisë së lëvizjes në Evropë po e përkthen në një Burg të Vogël apo mohimi i lirisë së lëvizjes brenda Kosovës”, është thënë në reagimin e KMDLNJ-së.