KMDLNj-ja për vizitën e ministrit danez: Në funksion të legalizimit të dy sistemeve korrektuese brenda një shteti
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas vizitës së ministrit danez të Drejtësisë, Peter Hummelgaard.
KMDLNj-ja ka vlerësuar se kjo vizitë ka ndodhur për të shënuar fillimin e rindërtimit të burgut në Pasjak të Gjilanit, ku sipas këtij këshilli, dhunshëm dhe kundër vullnetit të tyre do të vendosen të dënuarit me dëbim nga Danimarka, të gjithë nga vendet e treta dhe asnjëri danez apo shtetas danez.
Për KMDLNj-në vizita e ministrit danez të Drejtësisë është në funksion të legalizimit të dy sistemeve korrektuese dhe siç është thënë në reagim, “brenda një shteti prandaj nuk është i mirëseardhur”.
“KMDLNj do të përkrahë të drejtat e të burgosurve kosovarë që ato të drejta të janë të njëjta me të drejtat e të burgosurve të dëbuar dhunshëm nga Danimarka e që do të vendosen dhunshëm në burgun e Pasjakut të Gjilanit. Për KMDLNj vizita e ministrit danez të Drejtësisë është në funksion të legalizimit të dy sistemeve korrektuese brenda një shteti prandaj nuk është i mirëseardhur”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.