KMDLNj-ja: Rasti i subvencioneve dhe i RTK-së duhet të marrin vendim ligjor

26 nëntor 2024 | 15:28

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar në lidhje me zhvillimet rreth subvencioneve në Ministrinë e Bujqësisë dhe lajmit të publikuar me herët nga Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ku atakoheshin dy medie vendore.

Nëpërmjet një reagimi, KMDLNj-ja ka vlerësuar që rasti i subvencioneve dhe i RTK-së duhet të marrin epilog ligjor.

Reagimi i plotë i KMLDNj-së:

Ministria e Bujqësisë ka një buxhet mbi 300 milionë euro për të ndihmuar, përparuar dhe zhvilluar bujqësinë përmes subvencioneve. Ndarja e subvencioneve u bë në mënyrë krejtësisht jotransparente andaj KMDLNj-ja ka kërkuar që lista e përfituesve të bëhet publike aq më parë se kishte përfolje përtej dyshimit të bazuar se ndarja është bërë në baza nepotiste, politike dhe partiake e që u dëshmua në së paku 6 raste. Presioni i publikut bëri që ministri i Bujqësisë, Faton Peci të pezullojë (përkohësisht) subvencionet e ndara në baza familjare, politike dhe partiake.

Realisht, me këtë veprim ministri po blenë kohë për ta qetësuar reagimin e arsyeshëm si dhe për t’i ikur përgjegjësisë ligjore. Reagimi institucional mungonte sikur edhe në rastet e tjera të korrupsionit madje kishte përpjekje edhe të mbrohej. Mosbërja publike e listës së përfituesve të subvencioneve ngjallë dyshime të forta se lista, në numrin më të madh të saj ka njerëz të pushtetit apo të afërt me pushtetin, është listë klienteliste.

Për rastin në fjalë, KMDLNj-ja kërkon hetime nga Prokuroria e Shtetit si dhe publikim e listës së përfituesve. Në të kundërtën, ministri i Bujqësisë, bashkë me sponsorët mbrojtës institucionalë, duke blerë kohë po përpiqen t’i shmangen përgjegjësisë penale e që nuk duhet të lejohet që rasti të përfundojë pa kaluar nëpër filtrat e ligjit. Akuzat e ministrit të Bujqësisë, urbi et orbi e dëshmojnë pasigurinë e tij dhe u japin të drejtë sinjalizuesve dhe denoncuesve të këtij rasti. Antikorrupcioni nuk e zgjidhë këtë lëmsh të korrupsionit masiv por vetëm ligji.

Radiotelevizioni i Kosovës është e vetmja shtëpi publike informative që mbështetet thuaja 100 për qind nga buxheti i Kosovës për faktin se themelues është Kuvendi i Kosovës.

RTK-ja në vazhdimësi është përballur me probleme financiare dhe ndërhyrje politike, si në politikat editoriale, punësim e në veçanti në përzgjedhje të stafit menaxhues. Kohëve të fundit, jashtë çdo dyshimi RTK-ë është shndërruar në instrument të luftimit të mendimit opozitar sikur edhe të mediave që cilësohen si opozitë informative.

Rasti më i rëndë, për të cilin KMDLNj-ja kishte reaguar menjëherë ishte raportimi përjashtues dhe linçues ndaj gazetës Nacionale dhe Periskopit, si gazeta të financuara nga Serbia dhe Rusia, gjithnjë duke u mbështetur në pohimet e një gazetari dhe gazete nga Bosnja dhe Hercegovina. Për më keq, drejtuesit e RTK-së në këtë skandal të linçimit përmes luftës hibride, në mënyrë aktive kishin përfshirë struktura të AKI-së duke e kompromituar këtë institucion me rëndësi vendosëse për sigurinë e shtetit. Ndonëse drejtuesi i AKI-së e kishte përgënjeshtruar këtë dyshim para Komisionit parlamentar për mbikëqyrje të AKI-së, më vonë dolën incizime që dolën nga goja e drejtorit të RTK-së se materiali linçues, diskreditues dhe denigrues ishte sjellë pikërisht nga agjentë të AKI-së duke e adresuar përgjegjësinë për skandalin te ky institucion i sigurisë.

Këtu është krijuar një situatë mjegulluese kur për opinionin janë shpërndarë dy të vërteta që janë diametralisht të kundërta, e RTK-së dhe e AKI-së kurse publiku është i hutuar ndërsa mediat dhe gazetarët që nuk janë në linjë me RTK-ë dhe AKI-në, në përgjithësi, po ndjehen të kërcënuar. Në veçanti kjo vlen për gazetat Nacionale dhe Periskopi të cilat kanë bërë padi ndaj linçuesve dhe dhunuesve të lirisë së fjalës.

Ndërhyrja eventuale e agjencioneve shtetërore informative në punën e gazetarëve dhe të mediave paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut, e huaj edhe për vendet diktatoriale e lëre më për një vend demokratik siç mendohet se është Kosova.

Për këtë arsye Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë me urgjencë sikur që personat e përfolur në këtë skandal, pavarësisht kush janë ata duhet të suspendohen deri në përfundim të hetimeve dhe një vendimi gjyqësor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari Halil Çadraku, ka thënë të martën në Hagë se…