KMDLNj kërkon hetim urgjent ndaj ZRrE-së dhe ministrave Murati, Krasniqi, Rizvanolli dhe Hajdari
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka cilësuar si drejtësi të të pjesshme vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sa i përket faturave të fryra më 2012- 2017.
Ky këshill ka kërkuar hetime urgjente ndaj ZRrE-së, dhe ministrave Hekuran Murati, Elbert Krasniqi, Artane Rizvanolli dhe Rozeta Hajdari për vazhdimin e trajtimit diskriminues të qytetarëve.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim që qytetarët – konsumatorët e Kosovës që nuk janë serbë apo që nuk kanë jetuar në komunat me shumicë serbe të kompensohen me 40 milionë euro që me vetëdije të plotë janë plaçkitur nga ZRrE-ja përmes fryrjes së faturave në periudhën 2012- 2017, mjete që pastaj janë keqpërdorur për t’ua paguar faturat serbëve dhe të tjerëve në me shumicë serbe. KMDLNj-ja, që nga përfundimi i luftës ka ngritur zërin për këtë diskriminim flagrant në baza etnike dhe politike të konsumatorëve të energjisë elektrike e që Avokati i Popullit, në përputhje me mandatin kushtetues e ka adresuar këtë shkelje në gjykatat kompetente të cilat fillimisht kanë kërkuar që të ndërpritet me pagesën diskriminiuese të faturave dhe, në të njëjtën kohë që të kompensohen qytetarët e Kosovës nga ZRrE që në mënyrë kriminale i ka plaçkitur 95 për qind të qytetarëve për dobi të 5 për qind të qytetarëve”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas këtij këshilli, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës siguron vetëm drejtësi të pjesshme (nëse ata do të kompensohen për plaçkitjet nga ZRrE), ndërsa ndjekja penale e plaçkitësve do ta bënte të plotë mozaikun e kompensimit.
“Në kohën e kryeministrit Haradinaj, pas një takimi të KMDLNj- së dhe kërkesës për kompensim ishte bërë një kompensim i papërfillshëm që zgjati dy – tre muaj, me shumë simbolike 2-3 euro dhe aty përfundoi sepse nuk kishte një vendim të formës së prerë (detyruese) për kompensim. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompensim, qytetarët – konsumatorët e plaçkitur nga ZRrE nuk duhet të pranojnë të kompensohen përmes faturave por duhet të kërkojnë të kompensohen me euro përfshirë këtu kamatat e rregullta dhe ndëshkuese që i përcakton autoriteti kompetent, në përputhje me shkallën e inflacionit dhe çmimin e energjisë elektrike.
Si mbikëqyrës i procesit të zhdëmtimit të qytetarëve – konsumatorëve të plaçkitur nga ZRrE duhet të jetë një komision i pavarur nga Kuvendi i Kosovës që do të udhëhiqej nga opozita dhe një përfaqësues i shoqërisë civile. ZRrE do të bëjë përpjekje që të bishtënojë në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës por se duhet të caktohet një afat kohor, maksimumi 3 muaj që të përfundojë ky kompensim”,është thënë në këtë reagim.
Në fund të këtij reagimi, KMDLNj ka ftuar publikisht prokurorin e shtetit ta hetojë bazën ligjore në bazë të së cilës, që nga përfundimi i luftës iu janë paguar faturat e rrymës një 5 për qind të qytetarëve, “duke dëmtuar 95 për qind në baza etnike dhe politike që përbënë shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe që të merren masa ligjore ndaj shkelësve eventualë pavarësisht cilës qeveri i kanë takuar apo i takojnë”.
“KMDLNj kërkon hetime urgjente ndaj ZRrE, ministrave Hekuran Murati, Elbert Krasniqi, Artane Rizvanolli dhe Rozeta Hajdari për vazhdimin e trajtimit diskriminues të qytetarëve – konsumatorëve të Kosovës në baza etnike dhe politike, qoftë duke paguar fatura, qoftë edhe duke shpërndarë fatura fiktive lineare pre 21ceutosh pavarësisht se mund të kenë shpenzuar rrymë disa qindra euro gjatë periudhës së faturimit”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.