KMDLNj kërkon hetime për kërcënimin e Kurtit, i jep mbështetje Gjykatës Kushtetuese
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar hetime për kërcënimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”.
“Sipas një postimi nga kryeministri Kurti qytetarët e Kosovës janë informuar se kryeministri Kurti qenka kërcënuar me jetë si dhe familja nga ‘Garda Vullnetare Shqiptare’, e panjohur deri më tani. KMDLNj është e shqetësuar sepse është rritur numri i kërcënimeve përmes rrjeteve sociale e që po shkakton pasiguri për të kërcënuarit sikur edhe për opinionin aq më parë që këto raste nuk po zbulohen dhe se edhe në raste kur po zbulohen shqiptimi i masave po jetë në shpërputhje të madhe me pasojat që po i shkakton”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Ky këshill ka thënë se pret dhe kërkon nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Njësia kundër krimeve kibernetike dhe Prokuroria e Shtetit ta hetojnë rastin, në mënyrë që kërcënuesit të nxirren para drejtësisë dhe të pamundësohet hapësira për spekulime apo përfitime politike nga kushdo qoftë që e ka një qëllim të tillë.
“KMDLNj e përkrah plotësisht reagimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila kërkon që t’i mos i bëhet presion gjatë shqyrtimit të rastit të Dekretit të Presidentit për mandatarin e propozuar për formimin e Qeverisë së Kosovës”.
“Në këtë kontekst për KMDLNj është i papranueshëm dhe absurd çdo kërkesë e zyrtarëve dhe bartës të posteve institucionale për mosrespektim apo mospranim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese , cilido qoftë ai vendim. Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese është i padiskutueshëm dhe çdo thirrje për kundërshtim, qoftë përmes protestave apo moszbatim është rrezikim i rendit kushtetues në Kosovë” është thënë në këtë reagim. (L.G/ Epoka e re)