KMDLNj kërkon marrëveshje të pakushtëzuar për demarkacionin
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar në lidhje me situatën e fundit rreth demarkacionit me Malin e Zi.
KMDLNj ka bërë thirrje për marrëveshje të pakushtëzuar për demarkacionin.
“Tash, Kosova ka hyrë në një ‘qark magjik’ ku nuk ka lëvizje pozitive por se vazhdohet me kushtëzime. Se Lista Serbe e kushtëzon votimin me formimin e Asociacionit të komunave serbe e që Kushtetuta ka dëshmuar se janë bërë 24 raste të shkeljes së Kushtetutës, është shumë e qartë, edhe përmbajtja, edhe qëllimi. Për KMDLNj është joserioze që deputetët që përbëjnë shumicë absolute në Kuvend (shqiptarët) dhe deputetët e minoriteteve që janë shumë konstruktiv, nuk po mund të gjejnë gjuhë të përbashkët në mbrojtje të interesit qytetarë dhe shtetërorë. Është shumë e sigurt se pas marrëveshjes së nënshkruar midis Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 2015, kushdo që do të jetë në pushtet në Kosovë nuk do të arrijë ta shpërfillë këtë marrëveshje dhe do të detyrohet ta nënshkruajë atë marrëveshje. Prandaj, çdo përpjekje të zhbëhet kjo marrëveshje paraqet humbje kohe dhe izolim të mëtutjeshëm të Kosovës”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj nuk pret dhe nuk beson se me ratifikimin e kësaj marrëveshje, me një automatizëm do të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, së paku jo brenda këtij.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta marrin përgjegjësinë dhe të përcaktohen, pa humbur kohë nëse do ta ratifikojnë apo jo marrëveshjen e demarkacionit. Në të kundërtën vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja e që është e panevojshme”, thuhet ndër të tjera në këtë reagim.
Për KMDLNj-në është i pakuptimtë dhe i papranueshëm kushtëzimi me favorizimin apo eliminimin e një komisioni apo tjetri që është formuar nga Qeveria. “Për të fituar besueshmëri, aneksi i nënshkruar midis presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi është dashur të futet një pikë ku shprehimisht thuhet se;
‘nëse edhe pas vërtetimit të gabimeve të mundshme të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015 do të ketë mospajtime, atëherë rasti dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit, vendimet e së cilës do të ishin të pakundërshtueshme dhe detyruese për të dy shtetet …’. Me mosratifikimin e kufijve që do të pranoheshin ndërkombëtarisht, Kosova rrezikon të mbetet pa kufij, një territor i padefinuar e që do të ishte dëmi shumë më i madh se humbja e vizave”.
“Nëse nuk arrihet pajtueshmëri e pakushtëzuar për ratifikimin e demarkacionit e KMDLNj nuk e sheh të arsyeshme të ndodhë ndryshe, atëherë nuk ka kuptim të thirren seancat e jashtëzakonshme ku do të votohej për një pikë të vetme të ditës siç është ratifikimi i demarkacionit. Nëse vazhdohet me këtë maratonë të kalkulimeve politike dhe jopolitike e që për pretekst e kanë demarkacionin, qytetarët duhet të organizohen dhe ta kundërshtojnë këtë veprim të papërgjegjshëm të deputetëve të Kosovës dhe partive politike”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.