
KMDLNj kërkon nga Maqedonia e Veriut ta liron ish-ushtarin e UÇK-së, Emin Bajrami
Më 14 shkurt, në orën 14:10 në pikëkalimin e Bllacës policia e Maqedonisë së Veriut arrestoi ish-ushtarin e UÇK-së, Emin Bajrami i lindur në fshatin Kashtanjevë komuna e Shtërpcës me banim të përhershëm në fshatin Greme, Ferizaj.
Më datë 15.02. 2025, gjykatësja e procedurës paraprake në Shkup, Sandra Krstiq i caktoi masën e paraburgimit gjatë së cilës do të shqyrtohet kërkesa e autoriteteve të Serbisë për ekstradim.
Në lidhje me këtë ka reaguar, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), duke theksuar se Emin Bajrami u arrestua shkaku se ishte në listën e Interpolit, me kërkesë të Serbisë.
“Fletarresti i Interpolit ndaj ish ushtarit të UÇK- së Emin Bajrami u aktivizua në muajin prill të vitit 2024. Emin Bajrami është arrestuar nën dyshim se në muajin qershor të vitit 1999 në fshatin Greme ka kërcënuar me dhunë fizike çiftin N. K dhe Z. K, burrë dhe grua të nacionalitetit serb sikur që i ka urdhëruar ta lëshojnë shtëpinë dhe pronën. Nga autoritetet e Serbisë, Emin Bajrami qenka identifikuar në bazë të letërnjoftimit të vjetër nr. 2619333. I arrestuari Emin Bajrami ka deklaruar se në kohën kur dyshohet se është kryer vepra, ai pra nga korriku 1998 deri në shtator 1999 ka qëndruar në Gjermani, si azilkërkues duke e dëshmuar edhe me një dokument të autoriteteve gjermane, në gjuhën gjermane e që nuk është pranuar nga autoritetet maqedonase. Gjykatësja e procedurës paraprake, Sandra Krstiq në arsyetimin e caktimit të masës së paraburgimit e thekson kërkesën e Gjykatës së Lartë për Krime Lufte në Beograd si dhe thirret në nenet 5 , 6 dhe 17 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. KMDLNj aspak nuk habitet nga autoritetet maqedonase që janë shndërruar në instrument represiv ndaj shqiptarëve që kanë qenë pjesëtarë të UÇK- së e që e bëjnë me kërkesa të sajuara të Beogradit por shfaq shqetësim që Interpol lëshon fletarreste për ish-ushtarët e UÇK-së pa u mbështetur në prova dhe pa verifikuar alibinë e të arrestuarve. Kjo sidomos po përsëritet në Maqedoninë e Veriut dhe pas shqyrtimit të provave , të arrestuarit lirohen të pafajshëm”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj rithekson faktin se arrestimi i shqiptarëve me pretekst se kanë qenë ushtarë të UÇK-së nga ana e Serbisë dhe satelitëve të saj bëhet si hakmarrje për arrestimin e serbëve në Kosovë.
“KMDLNj e gjykon këtë arrestim si të pambështetur në prova duke kërkuar që Emin Bajrami të lirohet sa më parë. Institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë sqarim nga Interpol për këtë arrestim ndonëse Emin Bajrami në atë kohë ishte në Gjermani. Nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut duhet të kërkohet sqarim për këtë gjueti ndaj shtetasve të Kosovës. KMDLNj shpreson dhe pret që Emin Bajrami të lirohet nga paraburgimi dhe t’i kthehet familjes, duke mos ia mohuar lirinë e lëvizjes në të ardhmen”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së.