KMDLNj kërkon spital të veçantë për të burgosurit
Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se kërkesë e kamotshme e tyre është ndërtimi i një spitali për trajtimin e të burgosurve.
Ai shton se nuk po kërkojnë spital me përmasa si të QKUK-së, por një qendër që me pak investime do të mund t’i përmbushte në masë 80 % të nevojave për të burgosur. Sipas Shalës, Ministria e Shëndetësisë asnjëherë nuk ka bërë përpjekje serioze të adoptojë një hapësirë brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës për trajtimin e të burgosurve.
“Kërkesat e KMDLNj ka qenë nga fillimi që të ndërtohet një spital jo si QKUK, por i përmasave më të vogla por që do të kishte një staf profesional për trajtimin e rasteve për më shumë se 2 000 të burgosur që kalojnë brenda vitit që kalojnë në institucionet e Kosovës. Mirëpo është bërë përpjekje që të gjendet një zgjidhje jashtë shërbimit korrektues në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në spitalet rajonale”.
“Në QKUK nuk është në rregull që të sillen të burgosurit me çmim të lartë të shoqëruar me policë të cilët izolohen. Ministria e Shëndetësisë asnjëherë nuk ka bërë përpjeke serioze të adoptojë një hapësirë brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës. Me pak investime do të mund të shndërrohej në qendër që do t’i përmbushte në masë 80% të nevojave për të burgosur dhe vetëm në raste të rënda do të detyrohen të dërgohen në QKUK apo qendra të tjera”, tha Shala.
Shala theksoi se brenda vitit në burgjet e Kosovës vdesin 2 deri 3 veta. Ai shtoi se Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se nuk e ka në plan hapësirën brenda këtij shërbimi për të burgosur sepse nuk ka informata bazike, raporton EO.
“Brenda vitit në burgjet e Kosovës vdesin 2 deri 3 vetë. Pra nuk është numri alarmant krahasuar me vende tjera. Do të ishte më e leverdishme të përshtatej një hapësire brenda këtij shërbimi për të burgosurit. Së fundi Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se nuk e ka në plan ta bëjë këtë sepse nuk ka informata bazike”.
“Në anën tjetër po kjo ministri donë të nënshkruaj marrëveshje me Danimarkën për importimin e kriminelëve në dëm të burgosurve kosovarë. Është një situatë jo normale dhe marrëveshje jo normale. Ne insistojmë që nuk është zgjidhje për të burgosurit as shëtitja nëpër QKUK sepse ka pasur shumë largime dhe ikje, por duhet të ndërtohet një hapësirë sepse nuk ka vend në rajon që nuk e ka një spital të tillë”, tha ai.