KMDLNJ kërkon transparencë dhe llogaridhënie në bisedimet me Serbinë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka vlerësuar se bisedimet me Serbinë po vazhdojnë në një terr thuaja të plotë informativ.
“Qytetarët e Kosovës si fitues të zgjedhjeve të fundit e që ia dhanë besimin mbi 50 për qind koalicionit që aktualisht kanë pushtet absolut kanë pritur se do të ketë transparencë më të madhe sidomos për ecurinë e këtyre bisedimeve. Kohëve të fundit në opinion po qarkullojnë disa modele për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve ndërsa mbizotërues është propozimi francez – gjerman që preferon modelin e dy gjermanive”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Në lidhje me këtë proces të dialogut, KMDLNj ka komentuar edhe vizitat e shpeshta të emisarëve të këtyre shteteve në Prishtinë.
“Kishte vizita të shpeshtuara të emisarëve të këtyre shteteve e që ua kanë dorëzuar draftpropozimin kryeministrit Kurti ne Prishtinë dhe presidentit serb, Vuçiq, në Beograd. Në kohën kur Vuçiq e pranoi se është një kornizë e re për bisedime, kryeministri Kurti është deklaruar se nuk ka një të tillë për ta pranuar më në fund se megjithatë është një propozim i palëndëzuar. Ka filluar presioni i ndërkombëtareve që të pranohet ky propozim sepse ai i radhës mund të jetë më i keq. Shantazh dhe presion klasik dhe, në këtë luftë të pandershme po shquhet eurodeputetja Viola von Kramon dhe ca të tjerë. Për habi, opozita nuk po insiston që të sigurohet kjo transparencë për bisedime ndonëse e ka detyrim ndaj votuesve”, theksohet në reagimin e KMDLNj-së.
Ku thuhet tutje se qartazi opozita duke luajtur rol pasiv është duke marrë pjesë në mjegullimin e procesit të bisedimeve, në ndërkohë që sipas KMDLNj-së do të duhej të përdorte të gjitha mjetet parlamentare për ta detyruar kryeministrin e Kosovës të raportojë në baza të rregullta për këto bisedime.
“Shoqëria civile është krejtësisht pasive për dallim që më herët, gjatë legjislaturave të kaluara ishte, me të drejtë, e zhurmshme për sigurimin e transparencës. Mos të flasim se si sillej pozita aktuale që përdori të gjitha mjetet e padhunshme dhe të dhunshme, në emër të sigurimit të transparencës për bisedime. Nuk ka asnjë kuptim pohimi i opozitës se nuk e pengojmë procesin e bisedimeve dhe do ta votojmë çdo marrëveshje që e sillni në Kuvend pa pasur fare informata për ecurinë e këtyre bisedimeve”, theksohet në këtë reagim.
KMDLNj ka vlerësuar se opozita duhet të jetë bashkëpunuese por duhet të insistojë në sigurimin e transparencës sepse ia kanë premtuar qytetarëve, në këmbim të votës.
“Presionet ndaj pozitës dhe opozitës do të shtohen ditëve në vijim në mënyrë që të arrihet një marrëveshje shkel dhe shko e që nuk është kurrfarë zgjidhje që siguron qëndrueshmëri. Modeli i dy gjermanive nuk e zgjidhë problemin por ë bënë më të ngatërruar duke e prolonguar për një afat dhjetëvjeçar. Qytetarët nuk mund të vendosen para aktit të kryer dhe të informohen pasi të jetë arritur marrëveshja. Përgjegjësinë për këtë do ta ketë pozita, e pakundërshtuar nga opozita. Askush në këtë situatë nuk duhet ta ketë synim rrëzimin e qeverisë Kurti 2 por duhet të ketë synim sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies”, theksohet në reagimin e KMDLNj-së.