KMDLNj: Kosova nuk përfiton asgjë me marrëveshjen për burgjet me Danimarkën
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk e kanë votuar marrëveshjen për burgjet me Danimarkën.
Ky këshill, ka thënë se Kosova nuk përfiton asgjë nga kjo marrëveshje.
“Kosova asgjë nuk përfiton me këtë Marrëveshje përveç se diskriminon të burgosurit kosovarë dhe të tjerë që janë në institucionet korrektuese dhe të paraburgimit duke krijuar kushte pakrahasimisht më të mira për të të transferuarit nga Danimarka që janë me rrezikshmëri të lartë dhe të papërmirësueshëm”.
“Edhe stafi korrektues i Kosovës diskriminohet krahasuar me ata që do t’i shërbejnë administratorit nga Danimarka që do të udhëheq Burgun në Gjilan. MD-JA e Kosovës ka mashtruar opinionin në Kosovë sikur edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duke mos ua treguar të vërtetën për këtë Marrëveshje për faktin se brenda një shteti po legalizohen dy sisteme korrektuese, ai danez dhe ekzistuesi i Kosovës që diametralisht bëjnë dallime në trajtimin e të burgosurve dhe stafit korrektues”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.