
KMDLNj kundërshton rritjen e çmimit të rrymës, u bën thirrje qytetarëve që të mobilizohen
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar ndaj paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
KMDLNj ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike në vlerë prej 35%, do të ndikojë në shumë aspekte tek qytetarët.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të prodhojë efekte zinxhirore, duke rritur çmimet e artikujve të domosdoshëm si dhe të gjitha shërbimeve. Qytetarët e Kosovës nuk duhet t’i besojnë ZRRE-së e as qeverisë në detyrë, sepse në mbrojtje të interesave të operatorëve, kanë dështuar të mbrojnë interesat e qytetarëve”.
“Ndërkohë, ZRRE për më shumë se 15 vjet ka vjedhur konsumatorët shqiptarë dhe të komuniteteve joserbe për të paguar rrymën për serbët që as sot e kësaj dite nuk kanë njëheçorë dhe nuk paguajnë rrymë aq sa shpenzojnë. Qytetarët e plaçkitur nga ZRRE asnjëherë nuk janë kompensuar për mjetet e vjedhura nga ZRRE”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas KMDLNj-së, qytetarët duhet të kundërshtojnë me të gjitha mjetet e lejuara shtrenjtimin të cilin e kanë quajtur “kriminal”.
“Prej protestave të vazhdueshme e deri te refuzimi i pagesës së faturave me shtrenjtimet e paralajmëruara. Nga të ardhurat e përgjithshme, pjesa dërrmuese e familjeve detyrohen të ndajnë prej 13 deri në 16 përqind të ardhurave për shlyerjen e faturave për rrymën”.